Një informacion i ri ka mbërritur ditët e fundit në duart e grupit të prokurorëve, që po hetojnë çështjen e pajisjes përgjuese “IMSI Catcher”. Bëhet fjalë për një informacion operativ apo raport informues të Shërbimit Informativ, që i është dërguar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Ka qenë kjo e fundit që ka vendosur që raportin t’ua dorëzojë prokurorëve që po hetojnë çështjen e pajisjes “IMSI Catcher”.
Raporti në fjalë duket se është vazhdim i informacionit të parë të përcjellë nga SHISH në prokurori, në lidhje me marrjen e sinjalit për hyrjen e pajisjes në Shqipëri në datën 12 mars 2016, me një automjet të markës “BMW”, nga porti i Durrësit.
Informacioni i parë u bë shkak për nisjen e hetimeve, ndërkohë raporti i ditëve të fundit i mbërritur në prokurori duket se është një thellim më tej i të dhënave që janë pasuar me “ndjekjen” e pajisjes në të gjitha lëvizjet e saj në territorin e Shqipërisë. Kjo ndjekje është bërë me qëllim garantimin e sigurisë kombëtare për të verifikuar çdo situatë kur zyrtarë të shtetit shqiptar mund të përgjoheshin në mënyrë të paligjshme.
Burime të prokurorisë të pyetura dje nga gazeta “Panorama” pranuan ekzistencën e raportit, por nuk bënë komente në lidhje me përmbajtjen e tij. Zyrtarë të Akuzës thanë ndërkohë se fjala është për një informacion operativ që në këtë fazë nuk ka efektin e provës, pasi duhet mbështetur me dëshmi dhe fakte shtesë për t’u marrë i mirëqenë.
LËVIZJA E PAJISJES
Raporti i institucionit përgjegjës për sigurinë kombëtare, SHISH, vlerëson se pajisja “IMSI Catcher” ka lëvizur disa herë në Tiranë. Burimet e çështjes thanë se informacioni i përcjellë nga organet e specializuara pretendon se automjeti me pajisjen “IMSI Catcher” ka pasur një lëvizje intensive dhe disaditore në zonën pranë Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. Po kështu, një lëvizje e përqendruar dhe e vazhdueshme e pajisjes është konstatuar sipas raportit në zonën e qendrës së Tiranës, veçanërisht pranë Bashkisë së Tiranës dhe disa ministrive aty (ministria e Brendshme aktualisht është boshatisur, pasi po rikonstruktohet). Një tjetër zonë ku pretendohet se pajisja ka lëvizur dhe ka qëndruar vazhdimisht është zona e Rrugës së Elbasanit, veçanërisht zona pranë Radiotelevizionit Shqiptar. Burimet e hetimit thanë se raporti përmban disa të dhëna edhe për personat që kanë qenë në automjetin ku ndodhet pajisja e montuar, por informacionet në fjalë janë të përgjithshme dhe të pakonfirmuara, dhe për me tepër nuk mund të bëhen publike. Sipas burimeve në fjalë, krejt raporti është i bazuar në informacione të mbledhura me sa duket gjatë një vëzhgimi që u është bërë lëvizjeve të automjetit tip “BMW”, në të cilin është montuar pajisja “IMSI Catcher”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/