Ish-drejtori i Zyrës së Punës në Kavajë, Saimir Kurti gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se sherri mes tij dhe tre të plagosurve ka nisur pasi ata i kishin “ngacmuar gruan”. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka mohuar që përplasja me kreun e FRPDsë së Kavajës, Kid Kazazi, dhe të atin e tij, të ketë ndodhur për shkak të politikës, edhe pse Kurti është anëtar i PSsë. Vetë babë e bir thanë se ata i kishin kërkuar gruas së Sajmir Kurtit që të mos e parkonte makinën para lokalit, pasi një gjë të tillë e bënte prej disa kohësh. “Pas debatit për parkimin e makinës, mbërriti bashkëshorti i saj, Sajmir Kurti, i cili na qëlloi me armë duke na plagosur. Ngjarja ka marrë ngjyra politike, pasi përfaqësojmë parti të ndryshme, por ngjarja ka ndodhur si pasojë e konfliktit për parkingun përballë lokalit”, kanë deklaruar babë e bir për Policinë e Kavajës.
I njëjti version është dhënë për Policinë edhe nga Kurti, i cili ka deklaruar se ka qëlluar për vetëmbrojtje. “Nuk ka ngjarje politike. U konfliktuam pasi kishin ngacmuar bashkëshorten time, duke mos e lejuar të parkonte makinën përpara lokalit të tyre, i cili ndodhet para bashkisë. E konsiderova si gjest të ulët këtë dhe shkova të sqarohesha me ta, por ata më dhunuan fizikisht dhe për vetëmbrojtje qëllova me pistoletë në tokë”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera për Policinë lokale Kurti. Por policia në njoftimin e saj pasditen e të premtes ka bërë me dije se motivi i kësaj ngjarje është bllokimi i rrugëkalimit të mjeteve. Raportohet se për sqarimin e konfliktit Kurti është takuar tek lokali i shtetasit E. K., me kërkesën e këtij të fundit dhe aty ka nisur debati me të e djalin e tij. “Debati ka kaluar në sharje e ofendime dhe më pas i dyshuari Sajmir Kurti ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë duke ia drejtuar shtetasve të sipercituar, ku debati ka vazhduar më pas në rrugë. Në vazhdim të konfliktit Sajmir Kurti ka qëlluar me armën e zjarrit ku predha e qitur, nga kontakti i saj me objekt të forte (pllakë guri) është copëzuar, e për pasojë ka lënduar me dëmtime të lehta shtetasit E. K., 48 vjeç, K. K., 21 vjeç (at e bir) si dhe shtetasin D. Gj., 46 vjeç, i ndodhur aty pranë”, sqaron policia.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/