Zbardhen diskutimet në mbledhjen e KLD, si lindi ideja e padisë për...

Zbardhen diskutimet në mbledhjen e KLD, si lindi ideja e padisë për Saimir Tahirin

68
0
Shares

Janë bërë publike debatet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë lidhur me presionet e ministrave dhe Kryeministrit ndaj gjyqësorit fill pas arrestimeve dhe pezullimeve në ministrinë e Brendshme dhe arrestimin e Rroshit në Kavajë.

Diskutimet në mbledhjen jashtë radhe të KLD janë botuar së pari në gazetën ‘Panorama’:

XHEZAIR ZAGANJORI: Në rastin konkret unë mendoj që deklaratat që janë bërë, kryesisht nga pushteti ekzekutiv, janë të papranueshme dhe sigurisht që ne kemi për detyrë si Këshill i Lartë i Drejtësisë, por edhe si Konferencë, por edhe Unioni i Gjyqtarëve ka reaguar, që të mbrojmë gjyqtarin, të mbrojmë statusin e gjyqtarit, sepse përndryshe, sigurisht që nëse nuk do ta bënim një diçka të tillë, sigurisht që komuniteti i gjyqtarëve do ta ndienin veten të vetmuar, por sigurisht që ata nuk do të ishin në gjendje të ushtronin detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore.

NERITAN CENA: Sinqerisht këto ditë kam pritur, vëzhguar, qoftë edhe një qëndrim të miqve të Shqipërisë, si zotit Lu dhe zonjës Vlahutin, që të dilnin me një qëndrim zyrtar, nëse ka vërtet shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve në ato deklarimet, qoftë të ministrit të Brendshëm, qoftë të Kryeministrit. Reagime që nëse mendojmë që mund t’i bëjë një zyrtar, atëherë çfarë mund të mendojmë që mund të bëjë një njeri që minimalisht nuk ka kulturë juridike? Nuk e di, mbase politikanët tanë, qoftë të majtë, qoftë të djathtë, nuk dinë akoma ta respektojnë njëherë e mirë që kur flet gjykata, palët heshtin dhe që kontrolli i vendimeve gjyqësore bëhet vetëm në rrugë gjyqësore dhe nuk janë komentet ato që do zgjidhin problemin. Sikurse e thatë edhe ju, ne nuk kemi absolutisht asnjë lloj të drejte t’i hyjmë çështjes në fjalë nëse ekzistonin kushtet për t’u dhënë ajo masë sigurimi, a nuk duhej dhënë ajo masë sigurimi. E pafalshme, e patolerueshme mendoj unë është qëndrimi jo etik dhe i theksuar politik nga ana e përfaqësuesve të ekzekutivit. Unë nuk di që ne gjyqësori të jemi pjesë e ndonjë partie politike të caktuar, qoftë pozitë, qoftë opozitë. Di që jemi pushtet i pavarur.

ASTRIT HAXHIALUSHI: Vendimi i gjykatës nuk është vendim përfundimtar që çmon provat dhe për rrjedhojë duke u bërë një objekt i tillë nga ana e ministrit të Brendshëm i kritikave, por edhe i kërcënimeve, them se ka cenuar në themel pushtetin gjyqësor. Ndoshta ne na ka rënë kjo barrë në një kohë të vështirë, duke qenë objekt i këtyre kritikave dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por njëkohësisht na jep edhe njëfarë krenarie që t’i dalim zot kësaj pune, sidomos trupës gjyqësore.

ARTAN BROCI: A është tejkaluar viza e kuqe e ndarjes midis këtyre dy pushteteve dhe a kemi ne mënyra dhe mjete për të mbrojtur një gjyqtar, i cili në kushtetutshmërinë e tij dhe në ligjshmërinë e tij ka dhënë një vendim? Apo do mjaftohemi vetëm me deklaratën? Në pikëpamjen time unë gjykoj që ajo vija e kuqe që ndan dhe balancon pushtetet është shkelur dhe nuk është shkelur nga pushteti gjyqësor, është shkelur nga një individ, i cili është përfaqësues i ekzekutivit, është shkelur nga ministri i Brendshëm – ka një emër dhe një mbiemër konkret dhe nuk kemi pse i fshihemi – i cili ka dalë dhe ka kërcënuar hapur gjyqtarin.

RIDVAN HADO: Deklarata e fundit e funksionarëve të lartë të ekzekutivit, Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, janë të papranueshme. Janë deklarata fyese. Kanë kaluar, ashtu siç tha edhe zoti Broci, kanë kaluar vijën e kuqe. Intimidojnë gjyqtarin. Fyese për gjyqtarin Arjan Aliaj, por edhe për të gjithë trupën gjyqësore. Kanë intimiduar familjen e gjyqtarit, familjet tona, gjithashtu nderin dhe dinjitetin e familjeve dhe cenojnë funksionet kushtetuese të gjyqtarit, dhënien e drejtësisë.

NERITAN CENA: Nëse ne reformën në drejtësi do ta kuptojmë pastaj që të vejmë ca njerëz aty që t’i shtypim me buton si t’i duam, vendimin si ta duam, pastaj vetëm pavarësi gjyqësori s’ka më domethënë. Marr shkas nga deklaratat që bëri zoti ministër që, “të shohim, se do vijë koha, do t’i fusim në veting (vetting)”, “a do ta kalojë njëri vetingun apo s’do ta kalojë tjetri vetingun”. Këto janë kërcënime haptazi dhe tentativa për kapje të pushtetit gjyqësor. Prandaj them që unë uroj sinqerisht dhe shpresoj sinqerisht që mos të jetë kjo arsyeja e bërjes së reformës në drejtësi, sepse s’ka më… edhe qytetari i thjeshtë që do vijë të kërkojë drejtësi, s’ka për ta gjetur më me gjyqtarë të kapur.

GJIN GJONI: Është detyrë e këtij Këshilli të Lartë të Drejtësisë, ashtu siç edhe zoti Broci e deklaroi më përpara, që ne nuk duhet të mbetemi në kuadrin e deklaratave, por duhet të kalojmë edhe në veprime ndoshta të karakterit ligjor, në mbrojtje, jo vetëm të këtij gjyqtari, por të çdo gjyqtari tjetër në Republikën e Shqipërisë, kur kemi kërcënim apo denigrim të tij.

BRUNILDA KADI: Ajo që dua të theksoj unë, duke qenë se këto mbledhje janë publike dhe çdokush mund t’i aksesojë është, t’i drejtoj një pyetje ministrit apo edhe Kryeministrit: Nëse për këta persona gjyqtari është një kriminel – nuk dua të përsëris fjalët e tjera që janë thënë – atëherë ku është përgjegjshmëria ligjore e atyre që e kanë lënë këtë gjyqtar të japë vendime në emër të republikës? Sepse është përgjegjësi ligjore, detyrim ligjor për çdo shtetas, aq më shumë për këto pozicione, që të bëjnë kallëzim penal në organin kushtetues për këtë person që për më tepër është gjyqtar. Dhe ideja është që pse ky moment ose kjo dijeni e tyre del në momentin që jepet ky vendim. Sepse nga deklaratat del që këtë status, ky gjyqtar, e ka pasur më përpara, nuk e mori në këtë moment. Që është kriminel dhe termin tjetër që është përdorur “killer”. Është një problem tjetër që gjyqtari në fjalë është gjyqtari hetues i çështjes, dhe ai, sipas ligjit procedural, do hetojë çdo kërkesë të Prokurorisë në lidhje me këtë çështje dhe këto veprime që janë, jo në kufi, por që e kanë kapërcyer kërcënimin, janë një ndikim i hapur i paligjshëm në dhënien e drejtësisë dhe në punën e këtij gjyqtari në dhënien e vendimeve nga ana e tij.

BUJAR NISHANI: Ajo që do t’i propozoja Këshillit do ishte që t’i drejtohemi Prokurorisë së shtetit shqiptar, me një kallëzim ndaj ministrit të Brendshëm, për kërcënimet dhe fyerjen që i ka bërë gjyqtarit konkret. Dhe pa dyshim, në qoftë se ky Këshill do ta miratojë, unë në cilësinë e Kryetarit të Këshillit do t’i drejtohem pastaj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe proceduralisht organit të Prokurorisë, për të verifikuar dhe për të hetuar nëse ka shkelje të Kushtetutës, të ligjit dhe ka vepër penale në rastin konkret.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY