Çmimi i naftës është rritur sërish në Shqipëri. Një litër shitet me mes 170 dhe 174 lekë, nga 168 që tregtohej një javë më parë. Arsyeja, si pas Shoqatës së Hidrokarbureve, është e njëjta: është rritur çmimi i naftës në bursë.
Aktualisht Shqipëria është mes 35 vendeve me çmimin më të shtrenjtë të naftës në botë.
Por vala e rritjes nuk do të përfundojë këtu. Çmimi do të pësojë një tjetër rritje me 6 lekë për litër, për të arritur nivelin e 180 lekë për litër.
Kjo do të jetë pasojë e taksës së re që ka vendosur qeveria për rilicensimin e karburanteve.
Në mbledhjen e fundit, të mërkurën, Këshilli i Ministrave vendosi që tarifa e rilicensimit të pikave të karburanteve të jetë 3 milionë lekë për Tiranën dhe 1 milionë lekë për rrethet e tjera.
Në muajin nëntor, Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë një rritje më të madhe: 5 milionë lekë për Tiranën dhe 2 milionë lekë për rrethet.
Shoqata e Hidrokarbureve që e dërgoi në gjykatë kundështon edhe tarifën e re.
Por ata që do ta pësojnë nga kjo rritje takse janë konsumatorët.
Takat shtetërore janë arsyeja pse shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë se qytetarët e vendeve të tjera të rajonit naftën. Nga 174 lekë, të paktën 110 janë taksa shtetërore. Me rritjen e tarifës së rilicensimit, është sërish qeveria që i shtrenjton karburantet, në kurriz të qytetarëve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/