Deputetja Mimoza Hafizi ka shpallur nismën e një grupi deputetësh për ndryshimet kushtetuese. Ndryshimet konsistojnë në dy drejtime, atë për zgjedhjet e Presidentit nga populli, si dhe ndryshimet kushtetuese si ato për reformën në drejtësi të bëhen nga populli.
Në amendamentin e parë, Hafizi thekson se nuk kërkohet ndryshimi i kompetencave të Presidentit, por vetëm mënyra e zgjedhjes së tij. “Një President i zgjedhur nga populli, dhe jo nga Kuvendi, do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese. Në shumë vende të botës, që nga SHBA e Franca, por edhe Mali i Zi, Turqia, Sllovenia, Serbia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Moldavia, Maqedonia, etj., Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli”,shkruan Hafizi.
Ndërkohë, në amdendamentin e dytë të ndryshimeve kushtetuese, deputetja socialiste thekson se “Me amendamentin e dytë kushtetues, ne kërkojmë që popullit t’i bëhet e mundur të ndryshojë Kushtetutën e vendit. Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit. Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë”, thekson ajo më tej.
Deputetja Hafizi sjell rastin e reformës në drejtësi, që sipas saj, populli e ka të pamundur që të marrë pjesë në këtë process. Dhjetë deputetë kanë nënshkruar nismën, si Arta Dade, Agron Duka, Ben Blushi, Dashamir Shehi, Eduard Selami, Luljeta Arapi, Mimoza Hafizi, Nard Ndoka, Tahir Muhedini si dhe Vangjel Dule. Për të futur në Parlament diskutimet për këto ndryshime duhen firmat e 28 deputetëve.
Amandamentet jane pergaditur nga deputetet Arta Dade, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/