AGRON GJEKMARKAJ/Rama-Meta në përballjen e 21 korrikut

AGRON GJEKMARKAJ/Rama-Meta në përballjen e 21 korrikut

70
0
Shares

Sa herë takohen Edi Rama dhe Ilir Meta mes buzëqeshjeve, gjithnjë e më të rralla, sa herë një komunikatë e re na jep lajmin se ata u poqën përsëri për të mbajtur gjallë koalicionin e “Rilindjes”, term të cilin kryetari i Kuvendit me të vetët ka kohë që nuk e zë me gojë, më pulson në kujtesë refreni i një kënge plot zemërim sevdaje “Oh sa të du mor ta bofsha varrin”!

“Reforma në Drejtësi” është vënë në kalendarin e punimeve të Kuvendit më datë 21 korrik. Të jetë një rastësi apo në vetëdijen e Ilir Metës është rikthyer data 21 janar 2011, më e rënda ditë në historinë e tij politike, mbetet për t’u parë, i duhet dhënë pak kohë kohës?! Për regjizurën e saj tanimë dëshmitarët kanë thënë ç’kanë pasur për të thënë, duke mos lënë shumë hije dyshimi nga pas! Hakmarrja është një gjellë që serviret e ftohtë, thotë një proverb.

Ndoshta Ilir Meta ka projektuar hakmarrjen e tij për aleatin-armik, pasi ka bërë llogaritë se çfarë fiton! Historia me Ramës dhe Metës ka filluar herët dhe ka konsumuar ulje-ngritje, kulisa, gjuhë urrejtjeje me kërcënime të ndërsjellta për të mbërritur në shtrëngime duarsh “që digjeshin” në paktin e 1 prillit 2013, nga i cili u projektua fitorja e bujshme e pak muajve më vonë!

Tre vite së bashku karakteristikë themelore kanë pasur, përkeqësimin e qeverisjes, dështimin e thellë në raport me premtimet, thashethemnajën intensive dhe mungesën e besimit reciprok. Ai (besimi) mori një goditje fatale në zgjedhjet lokale të qershorit 2015, për të cilat thuhet se LSI-ja u braktis nga socialistët në të gjitha ato zona ku ndihej e fortë!

Qysh aso kohe Meta gjithnjë e më tepër flet i menduar dhe pa gëzim, me një gjuhë sibiline teksa Rama rend nga pas për të riparuar ç’të mundet! Kurba e intrigave dhe dyshimeve arriti majën më të lartë në të ashtuquajturën aferë CEZ-DIA. Personazhe të lidhur me Kryeministrin bënin insinuata dhe nxirrnin informacione në tentativë për t’i dhënë një vend “nderi” Metës në një mega aferë korruptive, për të cilën nuk u bë kurrë dritë, por u shtuan misteret!

Qysh prej atyre ditëve, një athëtirë vërtitet korridoreve të aleancës “Për Shqipërinë Europiane”. “Vrima” e Shukriut shërbeu si teleskop për të shquar një shpellë të re që është konturuar mes Ramës dhe Metës. Në errësirën e saj fshihet fati i Saimir Tahirit. Pas historisë së kompjuterit përgjues që shëtiti nëpër Tiranë si “sy dhe vesh i Zotit” pezmi u zë shikimin. Për atë send zhbirues thuhet se kryetarin e Parlamentit e ka pasur objektiv të dashur.

Kureshtia se më kë takohet dhe se çfarë mendon Ilir Meta me gjasë pas sadisfaksioneve që e trishtojnë, ka sjellë telashe te Rama dhe trazira për rehatinë e gjumit të Tahirit prej ditësh nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme. Çdo gjëmë për të shndërrohet në gjëmë për Qeverinë.

Gjatë gjithë kësaj kohe mbushur me derte, ku ai që e ha si gjithmonë është qytetari me varfërinë dhe papunësinë, i kërcënuar nga krimi trafiku dhe shumë shpesh nga policia, si kolonë zanore e pashuar ka qenë “reforma në drejtësi” dhe gjezdisjet personale mes Ramës e Metës, darkat e ngrëna dhe ato të pangrëna si teatër mbërthyes i një realiteti skandaloz.

Të gjitha palët në parim janë shprehur dakord për nevojën e saj (reformës). Opozita dhe LSI-ja nuk pranojnë mënyrën sesi do ta realizojë atë Edi Rama. Një fjali kyçe e shqiptuar nga LSI-ja “me opozitën dhe me konsensus sipas ‘Venecias’” e kanë bërë interesant procesin, duke vështirësuar lojën e Ramës. “Venecia” ka folur disa herë! Në fillim pothuaj ajo e rrëzoi totalisht variantin SorosXhafa-Rama.

Opozita e kompleksuar nga insistimi i ndërkombëtarëve dhe propaganda jo serioze e Ramës e mori tepër seriozisht këtë reformë, ndonëse la boshllëqe në komunikimin publik, të cilat i shfrytëzoi kundërshtari. Pasiguritë dhe hezitimet e saj përballë frikës që ndjell kapja nga Rama u konsideruan pretekste. Gjithsesi, ajo angazhoi juristët e vet më të mirë, si dhe konsulencën ndërkombëtare, duke ndikuar dukshëm në përmirësimin e draftit.

Kështu u sheshuan një sërë mosmarrëveshjesh për të mbërritur te rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias, e vetmja brazdë që ndan. Institucioni në fjalë mbetet arbitri më prestigjioz ndërkombëtar, i cili i jep të drejtë Opozitës për çështjen e “vendeve të rezervuara” si mundësi për “moskapje” të sistemit nga Pushteti!

Duke u rrokanisur të gjithë mbi këtë pikë, sidomos ambasadorët, garantët e këtij procesi, paradoksalisht vendosën të ushtrojnë presion mbi opozitën, duke i njohur Ramës meritën e “fleksibilitetit”, megjithëse në takim me Bashën ai shkoi me fjalimin e dështimit në xhep.

Deri në këtë moment, Lu dhe Vlahutin përtej nuancave mendonin se në instancë të fundit Rama dhe Meta do të ishin bashkë në votimin e kësaj Reforme, paçka se enturazhi i Kryeministrit qosheve mediatike dhe salloneve të ambasadave përcjell mesazhet se kjo është një Reformë anti-Metë dhe anti-Berishë!

Se çfarë reforme drejtësie mund të jetë një gjë që politikisht përcakton objektin dhe qëllimin duke e projektuar apriori mbi dy persona konkretë, hajde merre vesh!? Respekti i Ramës për drejtësinë “e pavarur” u duk qartë te protestat jakobine të Erjon Velisë kundër Gjykatës Administrative apo te linçimi politik mbi gjykatësin që mori vendimin për pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për çështjen e përgjimeve!

Tjetër histori kjo, që meriton trajtim më të ngeshëm! Me gjasë Meta nuk u impresionua shumë nga deklaratat e ambasadorëve dhe bëri të qartë se nuk do të lejojë trafikimin e votave në Parlament dhe se nuk do t’i gëzohej një reforme të njëanshme, që cenon stabilitetin e vendit, fakt ky që jo vetëm nuk i hap negociatat me BE-në, por i rrezikon ato!

Të shtunën deputeti i Dibrës, Përparim Spahiu, deklaroi se ishte kundër cenimit të sovranitetit nga komisioni ndërkombëtar i monitorimit për çështjen e “Vetingut”, më pas LSI-ja u distancua nga qëndrimi i tij, duke e përjashtuar nga grupi, por njëkohësisht shfaqi nostalgjinë për “Venecian”. Këto janë lojëra të njohura dhe taktika të përdorura nga Ilir Meta sipas parimit hiq e mos këput. Spahiu sot është heroi i ri i LSI-së i larguar për të rrudhur numrat në një anë dhe shtuar në një tjetër.

Jo larg pa “mea culpa” do të kthehet mes të vetësh. Në mungesë të rezultateve qeverisëse, shefi i ekzekutivit e ka shndërruar “reformën në drejtësi” në “nënën e të gjitha betejave”, krejt si Sadam Hysein betejën për Bagdadin, ku shtypi antiamerikan i kohës kudo në Europë shkumëzonte se ushtrinë amerikane e pret vetë ferri, Divizioni pretorian “Medina”, i cili la uniformat zgëqeve dhe vrapoi pas ferrave me sa fuqi u jepte shpirti sapo tanket e para u shfaqën aty pari.

Pas çdo ditë që shkimet, ajo (reforma) po shndërrohet në slogan elektoral. Nëse nuk arrihet dakordësi, së paku nëse u besojmë deklaratave të deritanishme, “reforma në drejtësi” më 21 korrik nuk kalon edhe për faktin se Ilir Meta i druhet një sistemi të komanduar nga Edi Rama.

Pandeli Majko pardje bëri një thirrje në stilin e tij patetik për zgjedhje të parakohshme dhe referendum, ndonëse i adresohej opozitës, nënteksti ishte për aleatin LSI. Dështimi hipotetik i kësaj reforme dhe faturimi i saj mbi opozitën e sipas dobisë edhe mbi LSI-në mbetet “suksesi” dhe program i ri elektoral për shefin e Pandit! Edi Rama gjendet mes një sërë faktesh e ngjarjesh të kryqëzuara!

Po të pranojë dështimin e “reformës në drejtësi” pa asnjë reagim, thjesht duke përdorur retorikën kundër Opozitës, Bashës e Berishës, ai do të ngjajë si një dordolec politik në duart e Ilir Metës, një kinse Kryeministër i fyer nga nënqeshjet e pamëshirshme e të përditshme të Metës dhe nga kërkesat për t’u thelluar në autokritikë të Klajda Gjoshës.

Të ndahet prej tij tek merr “draftin” e shtrirë përdhe si “Cezari” nga thikat e “Brutit” dhe “Kasit” për të marrë udhën e zgjedhjeve të parakohshme, i futet një tatëpjete që nuk di ku e çon dhe ndoshta e lë pa lodrën e tij të dashur, karrigen! Të sillet si i virgjër, pasi është përdhunuar publikisht, edhe kjo nuk mban se shqiptarët e kanë zët dobësinë, i jepen të fortit me mish e shpirt!

Hallet kanë zënë rrallë në paradhomën plot flutura të Edi Ramës për t’u takuar me të! Mes Ramës dhe Metës data 21 prej vitesh rri si kujtim i tmerrshëm, ndërsa sot si sëpata e Demokleut, e cila nëse i bie njërit, ia këput hallatet politike! (marre nga panorama.com.al)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY