Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar një operacion të gjerë kundër kontrabandës së naftës dhe pastrimit të parave, duke arrestuar nëntë persona që dyshohet se ishin pjesë e një skeme kriminale të shtrirë prej vitit 2021 deri pak javë më parë.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, skema funksiononte në linjën Shqipëri–Kosovë. Dyshohet se autobotet ngarkoheshin vetëm pjesërisht me naftë, ndërsa pjesa tjetër mbushej me ujë, me qëllim përfitimin e paligjshëm gjatë tregtimit të karburantit.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Prishtinës ka identifikuar edhe kompaninë Standard Petrol me seli në Durrës, si subjekt të përfshirë në skemën e dyshuar.
Prokuroria e Kosovës u ka drejtuar autoriteteve shqiptare një kërkesë për ndihmë juridike, me qëllim verifikimin e procedurave të ndjekura nga doganat shqiptare gjatë hyrje-daljeve të ngarkesave.
Hetuesit synojnë të sqarojnë nëse janë kontrolluar faturat shoqëruese të mallrave, si dhe nëse autobotet i janë nënshtruar kontrolleve fizike në pikat doganore gjatë periudhës kur skema dyshohet se ka qenë aktive.a.b



