Nga Sami Neza
Ashtu si për dhjetë vite rresht iu sulën opozitës që bën gabime dhe nuk ka cilësitë që i duhen pushtetit, të njëjtët, me të vetmin ndryshim se tani nuk kanë në krye Endri Fugën por vetë komandantin, Edi Ramën, i janë sulur protestës se po bën gabime të mëdha të cilat investohen më pas nga propoganda si dekorata tek jeleku i mykur i qeverisë së Partisë Socialiste.
Po, protesta ka gabime. Shumë gabime. Gabime çdo ditë. Nga secili protestues, bile edhe nga disa mijëra sëbashku që bëjnë diçka gabim. Është ndër protestat me më shumë gabime që kam parë në 35 vite.
Gabojnë kudo, ndërsa ecin, ndërsa qëndrojnë, ndërsa ulen, kanë gabime në banderola dhe meme. Gabojnë kur vishen me flamur kombëtar. Kur heqin flamurin dhe vënë qeleshe. Kur heqin qeleshen dhe vënë para fytyrës akuzat për Edi Ramën, aso akuzash që të bëjnë pis edhe ajrin që qarkullon rreth tyre. Gabojnë kur kanë përfaqësues dhe nuk kanë përfaqësues, kur i ikin dialogut dhe kur nuk kanë asnjë që mund të dialogojë.
Pra protesta është e bukur kur është e kuruar dhe është produktive kur e pëlqen edhe vetë Rama. Hidhni një sy kritikëve të protestës që e ndajnë atë siç i ndan Rama në flamingo dhe sorra, në të dështuar dhe të keqkuptuar, në paqësorë dhe radikalë, nuk kanë një lexim tjetër veç sintaksës së Ramës.
Megjithë këto gabime që i qëmton Rama dhe homogjenët e tij të sintaksës në analiza, protesta shkëlqen. Dhe shkëlqen edhe atje ku gabon sa edhe atje ku është perfekte.
Cili është formati i protestës që pëlqehet nga Rama dhe po ashtu e rrëzon Ramën? Nuk ekziston diçka e tillë.
Natyrisht ka një format që ka sukses. Është ai format që nuk pyet fare, që nuk e vë në kandar fare pëlqimin apo mospëlqimin e Ramës, që nuk ndërton kurrfarë koherence, sentimenti bile edhe sedimenti më të. Që nuk tretet asnjë gram në acidin e Ramës.
Është ajo protestë që i vë kushtin dhe kushti nuk ka lidhje me cilësinë e protestës sipas parametrave që vendos Rama, por ka lidhje me keq-qeverisjen e Ramës, me korrupsionin qe ngjiti nivelet më të larta të suksesit, pastrimin masiv të parave ku leku forcohet ndërsa bien eksportet e euro bie ndërsa rriten importet, pra i ecën ora mprapsht, ka lidhje me investitorët strategjikë shqiptarë të Amerikës Latine, Policinë e Shtetit që është kthyer në një logjistikë të krimit të organizuar..
Prandaj asnjë gabim, bile asnjë budallëk, përfshirë edhe të shtymet pranë mikrofonit apo sherri i tyre me protestues profesionistë të opozitës së madhe apo të vogël nuk u ul atyre kredibilitetin, besimin dhe kredencialet për të vijuar pa pushim deri në largimin e Ramës dhe plotësimin e pesë kërkesave të tyre.
Ato janë shumë më pak të dëmshme se një nminutë punë e Ramës, bile as nuk krahasohen fare me dëmin që merr Shqipëria nga qëndrimi edhe një ditë më shumë i kësaj qeverie në pushtet.
“Protesta të jetë e pashme por qeveria atë punë ka”, ka rënë si suva për të mbajtur në krye sunduesin e shumicës dhe pakicës bashkë në emër të oligarkisë që është në të njëjtën kohë edhe qeveri, edhe biznes, edhe objekt hetimi.





