Ka nisur edhe këtë të martë marshimi i protestuesve nga sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë, në kuadër të protestës së 31-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Kjo protestë-maratonë nisi që në orën 10:00 para Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas u zhvendos përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pas arrestimit të disa protestuesve gjatë tensioneve me forcat e rendit. Më pas tubimi vijoi pranë Komisariatit Nr. 1, ku qytetarët kërkuan lirimin e të ndaluarve.
Policia shoqëroi gjashtë protestues me akuzën e kundërshtimit të punonjësve të policisë, të cilët u lanë të lirë disa orë më vonë.
Edhe këtë herë, thirrja kryesore e protestuesve ishte: “Rama jep dorëheqjen”. Organizatorët theksuan se protestat do të vijojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar gjithashtu hetimin e tij, të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si edhe largimin e asaj që ata e cilësojnë si klasa e vjetër politike, të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për situatën në vend.
Gjatë tubimit përpara Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se protestuesit kanë zhvilluar tubime paqësore, ndërsa akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës ndaj pjesëmarrësve.
Ajo iu referua edhe një incidenti të ndodhur një muaj më parë, kur, sipas saj, një protestues u tërhoq zvarrë nga forcat e sigurisë, ndërsa shtoi se edhe gjashtë protestues të tjerë u trajtuan në të njëjtën mënyrë gjatë protestës së kësaj të marte.
Në fjalën e saj, Vatnikaj tha se protestuesit nuk janë kriminelë, por akuzoi drejtues të Policisë së Shtetit, kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për bashkëpunim me krimin. Sipas saj, përdorimi i forcës ndaj protestuesve është tregues i frikës së autoriteteve.
“Për 30 ditë me radhë i kemi thënë Policisë së Shtetit se jemi këtu paqësisht. Gjashtë shokët tanë u tërhoqën zvarrë vetëm sepse protestuan. Ne nuk jemi kriminelë. Kriminelë janë shefat tuaj që bashkëpunojnë me krimin. Kriminel është kryeministri i vendit që bashkëpunon me krimin. Kriminele është qeveria e Edi Ramës që është e gjitha në SPAK. Dhuna që kanë ushtruar sot tregon vetëm frikën e tyre. Sa më shumë frikë ata, aq më shumë guxim ne. Sa më shumë të na rrihni e të na tërhiqni zvarrë, aq më shumë do të vijmë këtu. Jemi këtu për një Shqipëri të re, ku policia dhe qeveria nuk drejtohen nga krimi. Ku policia nuk na tërheq zvarrë. Jemi për revolucion paqësor, mos na provokoni”, u shpreh ajo.
Deklarata të forta pati edhe nga organizatorët e protestës. Edison Lika e cilësoi protestën e 31-të si një tjetër fitore të qytetarëve, duke pretenduar se, pavarësisht tensioneve të krijuara pranë Kuvendit, protestuesit nuk ranë pre e provokimeve të policisë.
“Sot kemi arritur një tjetër fitore përballë policisë kriminale të Ramës. Kjo protestë, më e bukura në 36 vite, as sot nuk ra pre e provokimeve të policisë. Pavarësisht se tentuan disa herë të na provokonin, ne nuk ramë pre derisa u detyruan të na sulmojnë e më pas ulën kokën. E kuptuan që kjo protestë shënon fundin e tyre. Ju erdhi fundi!”, deklaroi ai.
Lika komentoi edhe zhvillimet në Kuvend, duke pretenduar se deputetët e shumicës shmangën përballjen me protestuesit.
“E patë si u fshehën në Kuvend, ndiheshin si minj në çark. Janë të zgjedhurit e krimit dhe oligarkëve, jo tanët”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës së tij, organizatori theksoi se protestuesit do të vazhdojnë rezistencën e tyre paqësore.
“Sot ne rezistuam përsëri paqësisht dhe u treguam se jemi më të drejtë e më të fortë se ata”, tha Lika.





