nga Tomor Shehu
Botimi “The Albanian Files – Freedom and Architecture” ka ngjallur një debat të gjerë publik, profesional dhe institucional në Shqipëri. Përmbajtja e tij, e cila dokumenton aktivitetin e dhjetëra studiove dhe arkitektëve ndërkombëtarë në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit, ngre një sërë pyetjesh me interes të lartë publik në lidhje me mënyrën e konceptimit, promovimit, financimit dhe realizimit të projekteve të mëdha urbane, turistike dhe infrastrukturore në vend.
Vetë dëshmitë, përshkrimet dhe rrëfimet e përfshira në këtë botim krijojnë nevojën për sqarime të mëtejshme mbi rolin e institucioneve publike, të aktorëve privatë dhe të mekanizmave ligjorë e administrativë që kanë shoqëruar këto procese. Për këtë arsye, më poshtë paraqitet një listë pyetjesh, të cilat synojnë të kontribuojnë në transparencën publike, llogaridhënien institucionale dhe sqarimin e fakteve me interes për qytetarët shqiptarë.
Këto pyetje nuk përbëjnë konkluzione apo akuza, por përfaqësojnë çështje që, për shkak të rëndësisë së tyre publike, kërkojnë përgjigje të plota, të dokumentuara dhe të verifikueshme nga të gjithë aktorët e përfshirë.
- Pyetje për botuesen dhe redaktoren Anneke Abhelakh
1.1. Si lindi ideja për botimin The Albanian Files dhe kush e financoi realizimin e tij?
1.2. Kush i përzgjodhi 60 studiot dhe arkitektët e përfshirë në botim?
1.3. Nga cilat burime u siguruan informacionet, intervistat dhe projektet e publikuara?
1.4. A kanë plotësuar studiot formularë ose pyetësorë standardë? Nëse po, a janë publikuar ato në formën e tyre të plotë?
1.5. A është konsultuar ndonjë institucion shtetëror shqiptar gjatë përgatitjes së botimit?
1.6. A ka pasur financim, sponsorizim ose mbështetje logjistike nga institucione publike shqiptare?
1.7. Pse libri nuk është shpërndarë gjerësisht në tregun shqiptar?
1.8. A ekzistojnë marrëveshje kontraktuale me institucione publike ose private shqiptare?
1.9. A janë verifikuar pretendimet e arkitektëve lidhur me mënyrën e marrjes së projekteve?
1.10. A ka pasur kërkesa për të mos publikuar ose për të modifikuar pjesë të caktuara të materialit? - Pyetje për Kryeministrin
2.1. A keni qenë në dijeni dhe/ose i përfshirë në identifikimin dhe kontaktimin e arkitektëve të huaj të përfshirë në The Albanian Files?
2.2. Në çfarë cilësie institucionale janë zhvilluar kontaktet e përshkruara nga arkitektët?
2.3. Cili institucion shtetëror ka autorizuar kontaktet me studiot ndërkombëtare?
2.4. Mbi bazën e cilit dokument strategjik kombëtar janë zhvilluar këto projekte?
2.5. A ekziston një strategji e miratuar që parashikonte transformimin urban dhe turistik të zonave të përfshira?
2.6. Kush ka ndërmjetësuar marrëdhënien midis arkitektëve, investitorëve dhe zhvilluesve?
2.7. A janë zhvilluar konkurse publike për përzgjedhjen e studiove? Nëse po, ku janë publikuar?
2.8. Kush ka financuar konkurset ndërkombëtare të zhvilluara për projektet?
2.9. Kush ka financuar aktivitetet dhe takimet ndërkombëtare, përfshirë festivalin “Bread & Heart”?
2.10. Si janë përzgjedhur projektet që janë zhvilluar në zona të mbrojtura?
2.11. Pse disa projekte janë hartuar 2-3 vite përpara se të ndryshohej ligji për zonat e mbrojtura?
2.12. Cilat institucione kanë kryer verifikimin e burimit të financimit të investimeve?
2.13. A janë kryer analiza të ndikimit ekonomik, social dhe mjedisor për këto projekte?
2.14. A ekzistojnë procesverbale, korrespondenca apo dokumente zyrtare që dokumentojnë kontaktet me arkitektët dhe investitorët?
2.15. Meqënëse shumica e projekteve të përfshira në The Albanian Files kanë lindur nga kontakte direkte ose ndërmjetësime politike, (kryesisht me kryeministrin) cili ka qenë mekanizmi institucional, ligjor dhe financiar që ka garantuar transparencën, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik në zhvillimin e territorit të Shqipërisë? - Pyetje për arkitektët dhe studiot ndërkombëtare
3.1. Si u kontaktuat për herë të parë për të punuar në Shqipëri?
3.2. Kush ishte personi ose institucioni që ju kontaktoi?
3.3. A keni aplikuar në një konkurs publik apo jeni ftuar drejtpërdrejt?
3.4. Kush ju prezantoi me investitorët apo zhvilluesit shqiptarë?
3.5. Kush financoi studimet paraprake, masterplanet dhe projektet?
3.6. Kush ju pagoi për shërbimet e ofruara?
3.7. Në cilat juridiksione janë deklaruar të ardhurat e përfituara?
3.8. A keni patur kontrata me porositësit dhe a jeni paguar në bazë të kontratave?
3.9. Me cilat studio shqiptare keni bashkëpunuar?
3.10. A keni marrë pagesa edhe për projekte që nuk janë realizuar?
3.11. A keni marrë pjesë në takime të organizuara nga Kryeministri ose institucione shqiptare?
3.12. A ju janë ofruar kushte të favorshme administrative apo procedurale?
3.13. A keni pasur komunikime direkte me zyrtarë shtetërorë për përshpejtimin e procedurave? - Pyetje për investitorët dhe zhvilluesit
4.1. Si keni rënë në kontakt me studiot ndërkombëtare?
4.2. Kush ju ka rekomanduar arkitektët?
4.3. Cili ka qenë burimi i financimit të projektit?
4.4. Cilat banka apo institucione financiare kanë mbështetur projektin?
4.5. A janë kryer procedurat e “Know Your Customer” (KYC) dhe “Anti-Money Laundering” (AML)?
4.6. Kush ka paguar studimet urbanistike dhe arkitekturore?
4.7. A janë përfituar toka publike apo prona shtetërore? Në çfarë procedure?
4.8. A keni pasur takime me përfaqësues të qeverisë për zhvillimin e projektit?
4.9. A janë kryer analiza të fizibilitetit ekonomik dhe social? - Pyetje për Kuvendin e Shqipërisë
5.1. Kush i ka propozuar ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura?
5.2. Cilat ishin arsyetimet zyrtare për këto ndryshime?
5.3. A janë kryer studime të ndikimit para miratimit të ndryshimeve?
5.4. A ka pasur konsultime me investitorë, zhvillues apo studio arkitekture?
5.5. A kanë qenë deputetët propozues në dijeni të projekteve ekzistuese?
5.6. A ka pasur komunikime me ekzekutivin lidhur me këto ndryshime? - Pyetje për institucionet shtetërore (AKPT, KKTU, KISH, AIDA, ASHK, MTM, AKT, DPT etj.)
Për secilin projekt:
6.1. A janë respektuar të gjitha fazat ligjore të zhvillimit të projektit?
6.2. Kush ka iniciuar procedurën administrative?
6.3. Kur është miratuar planifikimi territorial?
6.4. A është kryer VNM (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis)?
6.5. Kush ka dhënë lejet përfundimtare?
6.6. A ka pasur procedura të përshpejtuara?
6.7. A janë kryer konsultime publike?
6.8. Cilat institucione kanë monitoruar zbatimin?
6.9. A janë kryer kontrolle mbi burimin e financimit?
6.10. A janë kryer kontrolle tatimore dhe fiskale?
6.11. Nje project ne shqiperi duhet te kaloje ne keto faza: Ideja e projektit → Verifikimi i pronës → Planifikimi territorial (PPV/PDV) → VNM dhe lejet mjedisore → Miratimi nga AKPT/KKT → Leja e ndërtimit → Lejet infrastrukturore dhe operacionale → Ndërtimi dhe vënia në funksion. A janë zbatuar këto faza në keto projekte? - Pyetje për bankat dhe institucionet financiare
7.1. Cilat projekte janë financuar nga banka?
7.2. Cili ishte vëllimi i financimit?
7.3. Çfarë procedurash AML/KYC janë ndjekur?
7.4. A janë identifikuar pronarët përfitues përfundimtarë?
7.5. A janë raportuar transaksione të dyshimta?
7.6. A janë përfshirë institucione financiare ndërkombëtare? - Pyetje për pronarët e tokave dhe komunitetet lokale
8.1. Si u kontaktuat për shitjen ose zhvillimin e pronës?
8.2. A ka pasur ndërmjetës?
8.3. A është kryer vlerësim i drejtë i pronës?
8.4. A ka pasur shpronësime apo transferime pronësie?
8.5. A jeni konsultuar gjatë procesit?
8.6. A jeni kompensuar plotësisht? - Pyetje për SPAK, ILDKPKI, DPPPP dhe institucionet e kontrollit
9.1. A janë kryer hetime mbi mënyrën e dhënies së projekteve?
9.2. A është verifikuar konflikti i interesit?
9.3. A janë kontrolluar burimet e financimit?
9.4. A janë analizuar procedurat e prokurimit dhe të dhënies së lejeve?
9.5. A janë kryer hetime për pastrim parash?
9.6. A është analizuar ndikimi i këtyre projekteve në proceset zgjedhore dhe në administrimin e territorit?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të ndihmonin në ndërtimin e një panorame të plotë mbi mënyrën se si janë konceptuar, promovuar, financuar, miratuar dhe zbatuar një pjesë e konsiderueshme e projekteve që kanë transformuar territorin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
Sqarimi i këtyre çështjeve nuk i shërben vetëm transparencës publike dhe forcimit të besimit tek institucionet, por edhe dokumentimit të një periudhe të rëndësishme të zhvillimit urban, ekonomik dhe institucional të vendit. Përgjigjet e plota dhe të dokumentuara mund të përbëjnë një kontribut të vlefshëm për qytetarët, studiuesit, institucionet shtetërore, organet e hetimit dhe kontrollit si dhe vetë historinë e administrimit të territorit dhe të qeverisjes në Shqipëri.




