Ka vijuar këtë të enjte protesta qytetare kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, e cila po zhvillohet tashmë në ditën e saj të 13-të.
Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe godinës së Kryeministrisë. Me pankarta dhe flamuj kombëtarë në duar, protestuesit kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe kundër projektit të diskutuar në Zvërnec.
Gjatë tubimit, aktivistja Arilda Lleshi iu referua aksionit të zhvilluar sot nga SPAK, duke e inkurajuar Prokurorinë e Posaçme të vazhdojë hetimet dhe të shkojë deri te ata që ajo i cilësoi si përgjegjësit kryesorë.
“Nga nisja e protestës, SPAK ka ndërmarrë dy aksione të rëndësishme. Kemi nevojë për vullnetin politik të sheshit, por edhe për drejtësinë. Inkurajojmë SPAK-un të shkojë deri në majën e piramidës”, u shpreh ajo para protestuesve.
Lleshi deklaroi gjithashtu se sipas informacioneve që qarkullojnë, SPAK mund të paraqesë së shpejti në Kuvend një kërkesë të dytë për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ajo paralajmëroi se protestuesit do të reagojnë nëse një kërkesë e tillë depozitohet në Parlament.
“Kjo është një betejë vendimtare mes dy modeleve, atij të autokracisë dhe atij të shtetit të së drejtës. Në momentin që do të dorëzohet kërkesa, ne do të rrethojmë Parlamentin”, tha aktivistja.
Vëmendje gjatë marshimit ka tërhequr edhe prania e flamurit amerikan dhe gjerman mes protestuesve. Krahas flamurit kuqezi, shumë qytetarë valëvitën edhe flamurin e Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar atë si simbol të mbështetjes për vlerat demokratike dhe shtetin e së drejtës.
Pamjet nga protesta tregojnë një pjesëmarrje të konsiderueshme qytetarësh, të cilët kanë vijuar marshimin dhe tubimin përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe hetimin e çështjeve që kanë nxitur revoltën qytetare.a.b




