Ish-deputeti i Partia Socialiste e Shqipërisë, Petro Koçi, ka reaguar me tone të ashpra një ditë pas aktivitetit të organizuar në Fier për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, duke drejtuar akuza të forta ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një postim në rrjetet sociale, Koçi e cilësoi Ballukun si “themeluese të korrupsionit”, ndërsa e akuzoi se përdor frikën dhe servilizmin në funksionet e saj politike dhe shtetërore.
Sipas tij, edhe ceremonia për përvjetorin e PS-së u shfrytëzua për të ushtruar ndikim dhe për të nxitur përçarje mes figurave historike të partisë. “Ca i ftoi, ca i harroi”, shkruan Koçi, duke pretenduar se gjatë organizimit të aktivitetit u anashkaluan disa prej themeluesve dhe kontribuuesve të PS-së.
Ish-deputeti shkon më tej në kritikat e tij, duke e akuzuar Ballukun për sjellje përçarëse dhe hakmarrëse, ndërsa ngre pretendime edhe për parregullsi në proceset zgjedhore brenda partisë. Ai deklaron se historia dhe kontributet e themeluesve të Partisë Socialiste nuk mund të zbehen nga drejtuesit aktualë.
Në reagimin e tij, Koçi ndalet edhe te historia e PS-së në Fier, të cilën e cilëson si një nga organizatat më të suksesshme të partisë në vitet e para të pluralizmit. Ai kujton kontributin e dhjetëra figurave lokale në ndërtimin dhe modernizimin e strukturave socialiste, duke u bërë homazh bashkëpunëtorëve që nuk jetojnë më.
Në fund të mesazhit, Koçi propozon një sërë ndryshimesh në organizimin e Partisë Socialiste, mes tyre rritjen e rolit të anëtarësisë në vendimmarrje, kufizimin e pushtetit të të deleguarve politikë dhe përjashtimin nga funksionet drejtuese të personave që janë nën hetim penal.
“Vetëm një trimëri duhet sot: të jesh i ndershëm”, përfundon reagimin e tij ish-deputeti socialist.




