Vëmendja e mediave ndërkombëtare ndaj protestave në Shqipëri vijon të mbetet e lartë. Rrjeti amerikan CNN ka raportuar sërish mbi zhvillimet në Tiranë, duke vënë në dukje se lëvizja që nisi si një reagim për mbrojtjen e mjedisit ka marrë tashmë një dimension më të gjerë politik.
Në një postim në rrjetet sociale, gazetarja Isa Soares, e njohur për intervistën e saj me kryeministrin Edi Rama, theksoi se protesta ka evoluar përtej kauzës fillestare.
“Ajo që nisi si një fushatë për të mbrojtur flamingot dhe vijën bregdetare të Shqipërisë, tani është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë. Tani në ditën e 10-të. Pamje të drejtpërdrejta sonte nga Tirana, Shqipëri”, shkroi Soares.
CNN ka shtuar ndjekjen e zhvillimeve në vend, duke transmetuar pamje dhe raportime të drejtpërdrejta nga kryeqyteti shqiptar. Protesta ishte gjithashtu pjesë e raportimeve në emisionet kryesore të rrjetit amerikan, duke e vendosur situatën në Shqipëri në fokusin e opinionit publik ndërkombëtar.





