Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të autoriteteve iraniane lidhur me protestat në Shqipëri, duke i cilësuar komentet e tyre si hipokrite dhe fyese për inteligjencën e shqiptarëve. Rama po kanalizon një debat me Iranin dule tentuar të njëhsojë raportin e tij me protestat me atë raport të Perëndimit ndaj Iranit. Kjo rrezikon që protestat për dorëheqjen e qeverisë së Tiranës të shihen nga njerëz me pak njohje për Shqipërinë si protesta të një natyre jodemokratike.
Në një reagim në X Rama thotë se Shqipëria nuk mund të marrë leksione për demokracinë apo sovranitetin nga një regjim që, sipas tij, shtyp liritë themelore të qytetarëve të vet përmes censurës, intimidimit dhe represionit. Ai kujtoi gjithashtu se Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Irani pas akuzave për sulme kibernetike ndaj institucioneve shqiptare.
Kreu i qeverisë nënvizoi se protestat dhe kritikat ndaj qeverisë janë pjesë e funksionimit normal të një demokracie, ku qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre pa frikë nga ndëshkimi.
“Populli shqiptar është mjaftueshëm inteligjent për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra dhe për të bërë dallimin mes debatit demokratik dhe propagandës”, deklaroi Rama, duke akuzuar regjimin iranian për përdorimin e profileve të rreme, fushatave të dezinformimit dhe videove të manipuluara.
Në fund të reagimit të tij, kryeministri e cilësoi regjimin iranian si “armik të mënyrës sonë të jetesës” dhe një “shtet terrorist sipas vetë përkufizimit”, duke theksuar se shqiptarët mbeten të bashkuar në mbrojtje të vlerave demokratike.a.b





