Vijojnë hetimet për zbardhjen e fatit të 35-vjeçarit Eglant Koçi, i cili u zhduk pa lënë gjurmë mesditën e 4 qershorit në zonën e Sheshit Wilson në Tiranë.
Familjarët denoncuan zhdukjen e tij pasi i riu nuk iu përgjigj më telefonatave dhe humbi çdo kontakt me të afërmit. Pas kallëzimit, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedim penal dhe nisi hetimet, ndërsa një nga pistat kryesore që po verifikohet është ajo e rrëmbimit.
Sipas informacioneve të siguruara gjatë hetimeve, është arrestuar Enea Zyferi, i cili dyshohet se ka përkrahur autorin ose autorët e ngjarjes. Arrestimi i tij vjen në kuadër të veprimeve hetimore që po kryhen për zbardhjen e plotë të rastit.
Një element i rëndësishëm i hetimit është gjetja e motorit me të cilin lëvizte Koçi. Mjeti u zbulua dy ditë pas zhdukjes në zonën e Rrugës së 5 Majit në Tiranë, ndërsa dyshohet se është braktisur aty për të humbur gjurmët.
Sipas gazetarit Artan Hoxha, 35-vjeçari punonte si korrier për transferimin e shumave monetare që përdoreshin në transaksione të lidhura me këmbimin e kriptomonedhave. Ai është parë për herë të fundit në afërsi të Sheshit Wilson, ndërsa më pas telefoni i tij rezulton i fikur dhe nuk ka pasur më asnjë komunikim.
Hetuesit po analizojnë lëvizjet e fundit të Koçit, kamerat e sigurisë dhe çdo provë tjetër që mund të ndihmojë në gjetjen e tij. Ndërkohë, familjarët vijojnë të bëjnë thirrje për informacion, duke shpresuar se 35-vjeçari mund të gjendet i gjallë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi dinamikën e ngjarjes, ndërsa hetimet mbeten në zhvillim.





