Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur paraditen e kësaj të marte në Vlorë, ku u përfshinë tre automjete.
Sipas të dhënave paraprake, në përplasje janë përfshirë një automjet tip “Benz”, një “BMW” dhe një “Seat”. Për shkak të goditjes së fortë, mjetet janë përfshirë nga flakët menjëherë pas aksidentit.
Viktima është identifikuar si Flamur Kabello, i cili ndodhej në automjetin tip “BMW” dhe nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tip “Benz” dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Hetimet paraprake tregojnë se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar e kombinuar me shpejtësinë e lartë të lëvizjes së njërit prej mjeteve të përfshira në ngjarje.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.




