Tre shtetas shqiptarë, të moshave 22, 23 dhe 25 vjeç, janë arrestuar nga karabinierët në Bolonjë të Italisë, të dyshuar për trafik droge në bashkëpunim.
Operacioni u zhvillua në zonën e Crespellano-s, pas një hetimi të nisur nga njësia operative e Bolonjës mbi lëvizjet e një furgoni me targa shqiptare që dyshohej se transportonte lëndë narkotike nga Spanja drejt Italisë.
Sipas autoriteteve italiane, hetimet nisën pas informacioneve të siguruara nga karabinierët për një rrjet të përfshirë në trafik dhe shpërndarje droge në provincën e Bolonjës. Për këtë arsye u organizua një operacion vëzhgimi dhe ndjekjeje për interceptimin e automjetit të dyshuar.
Pas monitorimit në autostradë, efektivët arritën të lokalizonin furgonin pranë daljes së Valsamoggia-s dhe më pas e ndaluan në Crespellano.
Gjatë kontrollit, tre shqiptarët shfaqën nervozizëm, ndërsa kontrolli i detajuar i mjetit çoi në zbulimin e një vendi të fshehtë të krijuar në sistemin e kondicionimit të furgonit.
Brenda tij u gjetën pesë pako me kokainë, me peshë totale mbi 5 kilogramë. Sipas hetuesve italianë, droga do të sillte rreth 500 mijë euro fitim nëse shitej në tregun me pakicë.
Karabinierët sekuestruan gjithashtu 6.430 euro cash, të ndara në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme, si edhe automjetin e përdorur për transportin e drogës.
Tre të rinjtë, të cilët rezultojnë pa vendbanim të përhershëm në Itali, u arrestuan në flagrancë dhe me urdhër të Prokurorisë së Bolonjës u dërguan në burg, në pritje të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë.
Sipas autoriteteve, sasia e sekuestruar dhe mënyra e organizimit të transportit tregojnë për ekzistencën e një strukture të organizuar kriminale që merrej me importimin dhe shpërndarjen e narkotikëve në Itali.a.b



