Një dron rus është përplasur në një pallat 10-katësh në Rumani, duke shkaktuar zjarr dhe plagosjen e dy personave. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Galați, pranë kufirit me Ukrainën, dhe është konfirmuar nga Ministria rumune e Mbrojtjes.
Sipas autoriteteve rumune, gjatë natës mes 28 dhe 29 majit, Rusia ka vijuar sulmet me dronë ndaj objektivave civile dhe infrastrukturës në Ukrainë, në afërsi të kufirit me Rumaninë.
Ministria bëri të ditur se një prej dronëve ka hyrë në hapësirën ajrore rumune dhe është ndjekur nga sistemet e radarëve deri në zonën jugore të qytetit Galați, ku më pas u përplas në çatinë e një ndërtese banimi.
Për pasojë, në pallat shpërtheu zjarr, ndërsa dy persona mbetën të plagosur lehtë, sipas shërbimeve të emergjencës.
Ngjarja është dënuar ashpër nga Ministria e Jashtme e Rumanisë, e cila e cilësoi incidentin si “një përshkallëzim të rëndë dhe të papërgjegjshëm” nga ana e Rusisë.
Autoritetet rumune kanë njoftuar aleatët e NATO-s dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës për situatën, duke kërkuar përshpejtimin e transferimit të kapaciteteve kundër dronëve në territorin rumun.
Nga ana tjetër, NATO reagoi duke deklaruar se do të forcojë mbrojtjen ndaj çdo lloj kërcënimi ajror.
“Ne dënojmë papërgjegjshmërinë e Rusisë dhe NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e saj kundër të gjitha kërcënimeve, përfshirë dronët”, thuhet në reagimin e Aleancës në platformën X.
a.b




