Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e themelimit të kompanisë së teknologjisë “Albanian Digital Solution”, ku gjatë fjalës së tij komentoi edhe debatet e fundit lidhur me projektin turistik në zonën e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit.
Rama hodhi poshtë pretendimet se shteti shqiptar po fal prona publike për investitorët, duke i cilësuar këto raportime si “lajm të rremë”.
“Më vjen të them diçka mbi këtë zhurmën e një lajmi të rremë me demek që shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë. Ajo është një pronë private denbabaden. Dhe investitorët e përfshirë në atë proces janë tejet seriozë, të cilët atë pronë e kanë marrë nga privatët. Shteti po, ka pasuri në anën tjetër të projektit ishullin e Sazanit, ende sot nuk kanë mbaruar negociatat pasi Koorporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e investimeve. Shteti do jetë aty. Toka e ishullit aty është e shtetit shqiptarë”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se negociatat për projektin në ishullin e Sazanit vijojnë ende, ndërsa shteti shqiptar do të jetë pjesë e investimit përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve.a.b



