Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Sipas agjendës së publikuar, slogani i këtij Kuvendi do të jetë “Ripërtëritje”.
Kuvendi Kombëtar i PD-së do të zhvillohet të shtunën, më 30 maj, duke nisur nga ora 10:00. Gjatë mbledhjes pritet të mbajnë fjalën disa prej drejtuesve dhe deputetëve demokratë, përfshirë edhe kryetarin e PD-së, Sali Berisha. Në fokus do të jenë gjithashtu ndryshimet në statutin e partisë, të cilat do të hidhen për votim.
Sipas agjendës, punimet do të hapen nga Erisa Bajaziti, e cila do t’i propozojë Kuvendit për miratim Komisionin e Drejtimit të Punimeve dhe Sekretariatin Teknik.
Komisioni i drejtimit të punimeve përbëhet nga Ivi Kaso në cilësinë e kryetarit, si dhe Floriana Garo, Bardh Spahia, Eliona Shkreli dhe Nada Meçorapja.
Ndërkohë, Sekretariati teknik përbëhet nga Adriana Kalaja, Ledio Nuraj dhe Marash Logu.
Pas miratimit të strukturave drejtuese të Kuvendit, do të ndiqet një dokumentar prezantues, ndërsa më pas do të mbajnë fjalë përfaqësues të ftuar ndërkombëtarë, si fizikisht ashtu edhe përmes lidhjeve video.
Në vijim të punimeve do të mbajë fjalimin e tij kryetari i PD-së, Sali Berisha. Më pas, Ivi Kaso do të paraqesë për ratifikim vendimin e Këshillit Kombëtar të 5 marsit 2024, ndërsa Floriana Garo do të lexojë dhe do të hedhë në votim rezolutën.
Një tjetër pikë e rëndësishme e Kuvendit do të jetë prezantimi i ndryshimeve statutore nga Gazmend Bardhi, të cilat më pas do të votohen nga delegatët.
Në fund të procesit procedural, Grigels Muçollari do të prezantojë platformën për modernizimin dhe digjitalizimin, ndërsa Nikola Kedhi do të prezantojë platformën për diasporën.
Punimet do të vijojnë me diskutime dhe fjalime nga pjesëmarrësit, ndërsa mbyllja e Kuvendit do të bëhet nga Ivi Kaso.a.b



