Në Bruksel do të zhvillohet sot Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipëri dhe Bashkimi Europian, një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit.
Konferenca hap zyrtarisht rrugën për futjen e Shqipërisë në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësim në BE.
Takimi vjen pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, i cili konfirmoi përmbushjen e kushteve të ndërmjetme në grupkapitullin “Themelorët”.
Po ashtu, COREPER ka përcaktuar edhe kushtet për mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Në konferencë do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama, i cili do të kryesojë delegacionin shqiptar të përbërë nga ministrat e kabinetit qeveritar.
Qeveria shqiptare ka theksuar se vendi mbetet i angazhuar për të vijuar me ritëm të qëndrueshëm reformat dhe përmbushjen e kritereve të kërkuara për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Sipas axhendës zyrtare, delegacioni shqiptar do të mbërrijë në ambientet e Këshillit të Evropës në orën 18:50, ndërsa pesë minuta më pas do të zhvillohet fotografia familjare.
Konferenca Ndërqeveritare pritet të nisë në orën 19:00, ndërsa në përfundim të saj, rreth orës 20:15, është parashikuar një konferencë për shtyp.



