Igli Kamberi
Ergys Kastrati, i njohur ndryshe me nofkën “Bishnja”, dyshohet se ishte personi që pastronte në Shqipëri paratë e përfituara nga trafiku i narkotikëve për një grup kriminal me bazë në Itali dhe Tiranë.
Sipas raportimeve, hetimi që çoi në zbulimin e grupit kriminal nisi nga autoritetet italiane pas vrasjes së 26-vjeçarit italian Francesco Diviesti. I riu u zhduk më 25 prill 2025 dhe trupi i tij u gjet katër ditë më vonë në zonën e Pulias, me plagë arme zjarri dhe pjesërisht i djegur.
Për këtë ngjarje, autoritetet italiane ngritën dyshime ndaj Igli Kamberi dhe tre personave të tjerë. Kamberi konsiderohet si drejtuesi i grupit kriminal dhe dyshohet se vepronte nga Italia, ndërsa emri i tij lidhet si me vrasjen e Diviestit, ashtu edhe me trafik droge dhe ngjarje të tjera kriminale.
Kamberit i është komunikuar masa e sigurisë në Itali, ku ndodhet i arrestuar që prej korrikut 2025.
Në Shqipëri, hetimet nisën fillimisht pas sekuestrimit të rreth 700 mijë eurove cash në pikën kufitare të Muriqan një vit më parë. Procedimi u regjistrua nga Prokuroria e Shkodrës dhe më pas dosja iu transferua SPAK-ut.
Hetimet zbuluan se paratë dyshohet se kishin lidhje me këtë grup kriminal, i cili akuzohet për pastrim ndërkombëtar parash nga Italia drejt Shqipërisë.
Gjatë operacionit në Tiranë, Ergys Kastrati u arrestua në një vilë në një zonë rezidenciale, ndërsa mësohet se prej dy vitesh ishte në kërkim policor. Sipas hetimeve, ai dhe bashkëshortja e tij dyshohet se merreshin me pastrimin e parave të pista të grupit kriminal.
Operacioni u zhvillua nga SPAK në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore Antimafia të Barit dhe autoritetet italiane, në kuadër të hetimeve për organizatën kriminale dhe vrasjen e Francesco Diviestit.a.b





