Opozita ka reaguar ashpër ndaj kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po pengon procesin e integrimit europian të vendit.
Në deklaratë thuhet se për mbylljen e negociatave vetëm për Grupkapitullin e Themeloreve, BE-ja i ka vendosur Shqipërisë 34 kushte, të cilat lidhen me korrupsionin, funksionimin e institucioneve demokratike dhe standardet zgjedhore.
Sipas opozitës, një nga arsyet kryesore të këtyre kushteve është vendimi i mazhorancës për të mbrojtur në Parlament zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke i garantuar asaj “imunitet nga arrestimi i SPAK-ut”.
Në reagim theksohet se Bashkimi Europian ka shprehur “keqardhje” për vendimin e Kuvendit dhe i ka kërkuar Shqipërisë të zbatojë standardet europiane mbi imunitetin parlamentar.
Deklarata nënvizon gjithashtu se në dokumentet zyrtare të BE-së, korrupsioni cilësohet si “shqetësim vendimtar”, ndërsa për herë të parë sektori i ndërtimit identifikohet si kanal për pastrimin e parave përmes transaksioneve jofinanciare.
Opozita pretendon se Bashkimi Europian ka evidentuar edhe rrjetet e patronazhimit si problematikë për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar zgjedhje plotësisht në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR-it.
Në deklaratë përmendet edhe kërkesa e BE-së për “mbikëqyrje efektive dhe të papenguar parlamentare, përfshirë komisionet hetimore”, si dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Grupkapitulli i Themeloreve hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Por pa mbyllur kapitullin e Edi Ramës, Shqipëria nuk i mbyll dot negociatat”, thuhet në fund të reagimit të opozitës.




