Shqipëria ka dënuar sulmet e fundit të Rusisë ndaj Ukrainës, pasi një prej goditjeve në Kiev ka prekur edhe kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë.
Reagimi erdhi nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili përmes një postimi në platformën X e cilësoi ngjarjen “të papranueshme”.
Sipas Hoxhës, targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përbën një përshkallëzim të rëndë të konfliktit dhe një tjetër dëshmi të kostos njerëzore të agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë. Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas”, thuhet në reagimin e ministrit.
Ministri shqiptar bëri të ditur gjithashtu se ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të dhënë shpjegime lidhur me incidentin.a.b





