Aeroporti i Vlorës rrezikon të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, pasi kompania MABCO Constructions SA i ka dërguar një letër zyrtare qeverisë shqiptare, ku kërkon ndërhyrje urgjente për situatën në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Në njoftimin për shtyp, MABCO deklaron se situata ka kaluar nga paralajmërimet e përsëritura në “përjashtim faktik” të kompanisë nga kantieri dhe nga kontrolli real i investimit të saj. Letra i është drejtuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokaturës së Shtetit, Zyrës së Kryeministrit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Sipas kompanisë, ajo zotëron 98% të kuotave të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe është investitori kryesor, financuesi dhe garantuesi i projektit, ndërsa pretendon se kompania 2A Group, që zotëron 2% të kuotave, po tenton të marrë kontrollin faktik të projektit përmes një administrimi të kontestuar të regjistruar në QKB.
MABCO pretendon se më 14 maj 2026 administrimi i kontestuar i VIA-s ka lëshuar një njoftim për ndërprerjen e marrëdhënieve të ndërtimit, të cilin kompania e ka refuzuar më 16 maj. Sipas saj, më 17 maj është kufizuar aksesi në kantier, ndërsa një ditë më vonë përfaqësuesve, inxhinierëve, specialistëve dhe nënkontraktorëve të MABCO-s iu është ndaluar fizikisht hyrja në ambientet e aeroportit.
Kompania pretendon gjithashtu se më 21 maj është lëshuar një tjetër njoftim që synon të paraqesë përjashtimin e saj si “refuzim për bashkëpunim”, duke krijuar bazë për inventarizimin ose marrjen e njëanshme të punimeve, pajisjeve dhe dokumentacionit teknik.
Në reagim, MABCO thekson se përjashtimi nuk mbështetet në asnjë vendim gjyqësor të formës së prerë apo akt të vlefshëm të autoriteteve shqiptare, ndërsa pretendon se edhe Policia e Shtetit është përdorur për zbatimin praktik të një vendimi privat të kontestuar.
Kompania ngre shqetësime edhe për sigurinë e specialistëve ndërkombëtarë, përfshirë ekspertë kinezë të akomoduar pranë kantierit, si dhe për bllokimin prej më shumë se shtatë muajsh të pajisjeve kritike për certifikimin e aeroportit, mes tyre automjete zjarrfikëse dhe pajisje X-Ray.
Në letër kërkohet gjithashtu që, përpara çdo hapi drejt certifikimit të aeroportit, të kryhet një auditim teknik i pavarur ndërkombëtar për pistën dhe sistemet e sigurisë ajrore.
Sipas MABCO-s, që prej shtatorit 2025 janë dërguar mbi 50 letra dhe njoftime formale institucioneve shqiptare, pa marrë përgjigje substanciale. Kompania pretendon se veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Koncesionit dhe të Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri.
Në aspektin financiar, MABCO deklaron se projekti është mbështetur nga mbi 90 milionë euro kapital, 6 milionë euro interesa të paguara mbi financimin, 10 milionë euro kontribute direkte, 152 milionë euro ekspozim kolaterali dhe një garanci financiare prej 72 milionë eurosh. Sipas saj, vlera ekonomike e rrezikuar arrin në 250–300 milionë euro.
Përmes letrës, kompania i kërkon shtetit shqiptar që deri më 28 maj 2026 të garantojë akses të menjëhershëm dhe të mbrojtur në kantier, të ndalojë përdorimin e policisë për përjashtimin e investitorit kryesor, të zhbllokojë pajisjet kritike në dogana dhe të organizojë një takim urgjent institucional me autoritetet përgjegjëse.
Në të kundërt, MABCO paralajmëron se do të nisë arbitrazh ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë, duke ndjekur të gjitha mjetet juridike të parashikuara në marrëveshjen e koncesionit dhe në ligj.



