Një manifest i ri politik me titull “Luleborë” u promovua këtë të premte në prani të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Autori i librit, Andi Mustafaj, e cilësoi veprën si një platformë politike për të denoncuar propagandën e regjimit dhe për të propozuar një qasje të re për opozitën shqiptare.
Gjatë fjalës së tij, Mustafaj foli për rëndësinë e lidhjes mes brezave, duke kundërshtuar frymën e konfliktit që, sipas tij, ushqehet nga propaganda politike. Ai solli edhe një episod personal me të atin, për të ilustruar raportin mes përvojës dhe brezit të ri në politikë.
“Sëmundja më e madhe që vuan shoqëria shqiptare është konflikti artificial mes brezave. Të rinjtë nuk duhet të mohojnë të kaluarën për t’u dukur të rinj apo të paprekur, por të ndërtojnë mbi traditën dhe përvojën”, tha ai.
Autori kritikoi gjithashtu kulturën politike të bazuar vetëm te denoncimi dhe kritika, duke kërkuar më shumë hapësirë për debat dhe propozime konkrete.
“Propozimi ndërton, kritika shkatërron,” u shpreh Mustafaj, ndërsa shtoi se opozita duhet të mbështetet te profesionalizmi dhe përgjegjshmëria individuale e çdo anëtari.
Sipas tij, manifesti “Luleborë” trajton mënyrën se si funksionon autokracia shqiptare dhe rolin që duhet të marrë opozita përballë saj.
“Regjimi është kudo, ndaj edhe opozita duhet të jetë kudo,” deklaroi ai, duke shtuar se ka po aq mënyra për të bërë opozitë sa ka anëtarë të Partisë Demokratike.
Në promovimin e librit mori pjesë edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili e cilësoi librin si “një manifest jashtëzakonisht të duhur në kushtet e diktaturës autokratike”.
Berisha vlerësoi kontributin e Andi Mustafajt dhe departamentit “Brain Gain” në periudhën më të vështirë të Partisë Demokratike, duke theksuar se grupi i të rinjve solli ide dhe aktivitete që, sipas tij, mbajtën gjallë moralin e opozitës.
“Është autor i një libri të jashtëzakonshëm. Është një manifest jashtëzakonisht i çmuar dhe i duhur për ne sot në kushtet e diktaturës autokratike,” tha Berisha gjatë fjalës së tij.
NGA FJALA E BERISHËS/ Demokratet dhe demokratët, qytetarët dhe qytetarët duhet ta dinë, populli opozitar duhet ta dijë, se Andi Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij u bashkuan me Partinë Demokratike në ditët e saj më të vështira.
U bashkuan me Partinë Demokratike në një kohë kur, projekte të mëdha ndërmerreshin për Shqipërinë pa opozitë.
U bashkuan me një guxim, por dhe me plot ide, aktivitete, dhe bënë gjithçka që dhe në ditët më të vështira të kësaj partie, të dëgjoheshin boritë e shpresës.
Erdhën jo vetëm si të rinj të vendosur për të qëndruar në krah të opozitës, por erdhën me ide shumë të çmuara. Dhe në një kohë të shkurtër, ata kanë autorësinë e një seri aktivitetesh, publikimesh, të cilat kishin qëllim madhor të mbanin gjallë moralin e demokratëve dhe t’i bënin ata, t’i rikujtonin ata se duhet të jenë krenarë me historinë e partisë së tyre, se duhet të jenë krenarë me platformën që kjo parti paraqet dhe qëndresën.
Andi Mustafa para disa muajve bëri zgjedhjet dhe ia dorëzoi drejtimin e departamentit Tedi Koplikut.
Është autor i një kryevepre të vërtetë. Është autor i një libri të jashtëzakonshëm. Tani meqë jemi në atë historinë e tij ‘babë e bir’, do ta them unë një histori këtu. Besniku ka shumë vite, ka shumë libra, po njërin prej tyre e kam lexuar disa herë se është për dhjetorin e ’90-tës.
Po kjo, është shumë më e prore. Andi, pse kjo është e tillë? Edhe nuk e them për ta thënë.
Sepse, e ke thënë të bukur, është një manifest, jashtëzakonisht i çmuar dhe i duhur për ne sot në kushtet e diktaturës autokratike.a.b




