Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur konsensus për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, të cilat u miratuan në seancën plenare me 100 vota pro dhe vetëm një votë kundër, atë të deputetit Redi Muçi. Marrëveshja mes palëve rikthen traditën e miratimit me dakordësi politike të rregullores parlamentare dhe sjell ndryshime të rëndësishme në funksionimin e Kuvendit.
Një nga pikat më të debatueshme ishte raportimi i institucioneve të pavarura në seancë plenare. Socialistët kishin propozuar fillimisht që raportimet të zhvilloheshin vetëm në komisionet parlamentare, por pas negociatave u ra dakord që në sallën e Kuvendit të raportojnë vetëm institucionet që e kanë të përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë këtë detyrim. Me këtë formulë, në parlament do të raportojnë Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesit e KLGJ-së dhe KLP-së, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa SPAK-u mbetet jashtë raportimeve në seancë plenare.
Kjo do të thotë se, ndryshe nga praktika e ndjekur gjatë mandatit të Altin Dumanit, drejtuesi i ri i SPAK-ut, Klodian Braho, nuk do të raportojë më në seancat plenare të Kuvendit. Megjithatë, kreu i SPAK-ut do të vijojë të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, ku do të diskutohet edhe projektrezoluta për institucionin.
Ndryshime janë bërë edhe në procedurat disiplinore ndaj deputetëve. Sipas rregullores së re, masat disiplinore pezullohen automatikisht në momentin që ankimohen në Byronë e Kuvendit. Gjithashtu, ndëshkimet nuk do të llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike.
Palët ranë dakord gjithashtu që Sekretariati i Etikës të ketë përbërje të barabartë mes shumicës dhe opozitës, me një sekretar dhe pesë anëtarë. Në rast të barazimit të votave, vendimtare do të jetë vota e sekretarit.
Në negociata u pranua edhe kërkesa e PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të vijojë ditën pasardhëse. Po ashtu, kryetarët e komisioneve do të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje ose seanca dëgjimore brenda dy ditëve, nëse kjo kërkohet nga pakica parlamentare.
Një tjetër ndryshim lidhet me kontrollin parlamentar ndaj institucioneve. Kryetari i Kuvendit do të ketë detyrimin të ndërhyjë në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion, duke u kërkuar përgjigje brenda pesë ditëve dhe, në rast mosreagimi, marrjen e masave disiplinore ndaj titullarëve përgjegjës.
Sa i takon procesit të integrimit europian, PS hoqi dorë nga propozimi që projektligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian të shqyrtoheshin automatikisht me procedurë të përshpejtuar. Kompromisi i arritur parashikon që procedura e përshpejtuar të përdoret vetëm në raste të argumentuara nga qeveria.
Demokratët nuk arritën të rikthenin formulën e mëparshme me dy komisione të veçanta për politikën e jashtme dhe integrimin europian, ndërsa struktura aktuale me një komision të vetëm mbeti në fuqi. Po ashtu, numri i komisioneve parlamentare nuk ndryshon dhe mbetet 11.
Një tjetër pikë e dakordësuar ishte edhe çështja e këshilltarëve politikë. Me ndryshimet e reja, dy grupet më të mëdha parlamentare, PS dhe PD, do të kenë nga 11 këshilltarë secila.
Ndryshimet vijnë pas tensioneve të krijuara nga ndryshimet e njëanshme që socialistët bënë në rregulloren e Kuvendit në vjeshtën e kaluar, të cilat u kundërshtuan nga opozita dhe përfunduan në Gjykatën Kushtetuese. Pas kritikave për procedurat e ndjekura, mazhoranca pranoi të ulej në negociata me opozitën për të arritur një zgjidhje konsensuale.




