Pas largimit të Sylvinho nga drejtimi i Kombëtarja shqiptare e futbollit, mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit ka përzgjedhur italianin Rolando Maran si pasuesin e tij në pankinën kuqezi.
Sipas raportimeve, negociatat mes FSHF-së dhe Sylvinhos për rinovimin e kontratës nuk kanë përfunduar me marrëveshje, duke sjellë mbylljen e aventurës së teknikut brazilian në krye të Shqipërisë.
Me ardhjen e Maranit, Kombëtarja pritet të kalojë nga filozofia dinamike dhe sulmuese e Sylvinhos drejt një futbolli më pragmatist dhe të bazuar te disiplina taktike, karakteristikë e shkollës italiane të trajningut.
Trajneri 62-vjeçar konsiderohet një emër me eksperiencë në futbollin italian, ku ka drejtuar për vite me radhë skuadra të njohura në Serie A. I lindur në Trento më 10 gusht 1963, Maran fillimisht u dallua si futbollist me Chievo Verona, ku ishte kapiten dhe një nga figurat kryesore të klubit gjatë ngjitjes historike nga kategoritë e ulëta drejt Serie B.
Si trajner, ai spikati fillimisht me Catania, të cilën e drejtoi drejt sezonit më të suksesshëm në historinë e klubit në elitën italiane, duke grumbulluar 56 pikë dhe duke e renditur në vendin e tetë në Serie A.
Më pas, Maran drejtoi për disa sezone edhe Chievo Verona, ku ndërtoi një skuadër të organizuar dhe të vështirë për t’u mposhtur, ndërsa pati eksperienca edhe me Cagliari, Genoa, Pisa Sporting Club dhe Brescia Calcio.
Emërimi i tij shihet si një zgjedhje që lidhet edhe me faktin se shumë prej lojtarëve kryesorë të Kombëtares shqiptare aktivizohen ose janë formuar në Itali, çka pritet të lehtësojë përshtatjen me filozofinë taktike të trajnerit italian.




