Autoritetet amerikane kanë arrestuar shtetasin shqiptar Sokol Hoxha, i cili rezultonte në kërkim prej rreth 30 vitesh për tre vrasje, dy të kryera në Shqipëri dhe një në Belgjikë.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar më 5 maj 2026 nga ekipi i posaçëm i United States Marshals Service në Ohio, në bashkëpunim me agjentët e emigracionit ICE, INTERPOL Washington dhe policinë e Kettering në Ohio.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se Sokol Hoxha ishte subjekt i një “Njoftimi të Kuq” të INTERPOL-it, të lëshuar nga Belgjika, pasi ishte dënuar në mungesë për vrasjen e bashkëshortes së tij 19-vjeçare në Bruksel, në gusht të vitit 1997.
Po ashtu, ai kërkohej edhe nga INTERPOL Tirana, bazuar në një tjetër dënim në mungesë për vrasjen e dy vëllezërve në Shqipëri, në mars të po atij viti. Sipas autoriteteve, Hoxha ishte arratisur menjëherë pas krimeve dhe kishte shmangur drejtësinë për dekada.
Hetimet kanë zbuluar se, pas largimit nga Belgjika, ai kishte përdorur identitet të rremë dhe kishte siguruar shtetësi në një shtet tjetër europian me emër tjetër. Më pas dyshohet se kishte hyrë në SHBA dhe kishte marrë statusin e rezidentit të përhershëm duke fshehur identitetin e tij real.
Sipas autoriteteve amerikane, ai jetonte në SHBA që prej vitit 2012, ndërsa arrestimi i tij erdhi pas një hetimi gjashtëvjeçar dhe bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të SHBA-së, Belgjikës, Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në operacion morën pjesë gjithashtu Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Shërbimi Diplomatik i Departamentit Amerikan të Shtetit, INTERPOL Brukseli, policia federale belge, National Crime Agency dhe Policia e Shtetit.m.k





