Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Qafë Gjashtë të Sarandë, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili dhe u plagos Kostandin Vogli.
Pas vetëdorëzimit në polici, 31-vjeçari Kostandin Vogli ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve, duke deklaruar se konflikti kishte nisur për shkak të një mosmarrëveshjeje të hershme me Viktor Ruçin.
Sipas dëshmisë së tij, ai dhe Ruçi kishin pasur më parë një biznes të përbashkët në fushën e turizmit.
“Me Viktor Ruçin kemi pasur një beach bar. Pasi unë u burgosa, ai nxori vëllain tim jashtë biznesi. Unë kërkova sqarime për këtë çështje. Por ai një javë më parë më shau”, mësohet të ketë deklaruar Vogli.
Ai ka treguar se kishte kërkuar ndihmën e disa miqve për t’u sqaruar me Ruçin, por situata degradoi në konflikt të armatosur, ku ai vetë mbeti i plagosur dhe pronari i lokalit, Rexhep Ismaili, humbi jetën.
Nga hetimet paraprake rezulton se rreth orës 21:20 të mbrëmjes së 8 majit, shtetasit Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla kanë shkuar në lokalin e Rexhep Ismailit, ku ka nisur një konflikt me Viktor Ruçin dhe personat që ndodheshin në tavolinë me të.
Sipas policisë, gjatë përplasjes së dhunshme, viktima Rexhep Ismaili ka marrë një armë automatike dhe ka qëlluar në drejtim të personave të përfshirë në konflikt.
Në ato momente dyshohet se Lulzim Tabaku ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të Ismailit, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas ngjarjes, autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i krimit, ndërsa Kostandin Vogli u vetëdorëzua disa orë më vonë. Ndërkohë, Lulzim Tabaku dhe personat e tjerë të përfshirë vijojnë të jenë në kërkim.
Policia ka proceduar penalisht edhe Hajredin Ismailin, vëllain 60-vjeçar të viktimës, pasi dyshohet se ka larguar nga vendngjarja armën automatike me të cilën Rexhep Ismaili kishte qëlluar gjatë konfliktit.
Në lidhje me ngjarjen:
- Lulzim Tabaku, 37 vjeç, akuzohet për “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”;
- Idriz Çela, 40 vjeç;
- Eljo Muço, 19 vjeç;
- Kostandin Vogli, 31 vjeç;
- Marjo Agalliu, 22 vjeç;
- Ermal Shkalla, 21 vjeç;
akuzohen për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.





