Fier – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar një hetim pasuror dhe i është drejtuar gjykatës me kërkesë për konfiskimin e një sërë pasurish të paluajtshme dhe kuotash shoqërish në pronësi të shtetasit A.H. (Arjan Hyka) dhe personave të lidhur me të, të dyshuara si të krijuara nga veprimtari kriminale.
Sipas organit të akuzës, hetimi i nisur me procedimin pasuror nr.1, datë 01.07.2025, ka në fokus pasuritë e shtetasve A.H, M.H, A.H, A.H dhe K.H, si dhe 5 shoqëritë tregtare në pronësi të tyre. Nga verifikimet ka rezultuar se një pjesë e konsiderueshme e këtyre pasurive nuk justifikohet me burime të ligjshme financimi.
Prokuroria bën me dije se Arjan Hyka, i dënuar nga autoritetet italiane për veprën penale “Përfitimi i të ardhurave që burojnë nga aktivitetet kriminale, drogë”, dyshohet se ka sjellë në Shqipëri shuma monetare të përfituara nga aktiviteti në fushën e narkotikëve. Këto para, sipas hetimit, janë përdorur për krijimin dhe zhvillimin e disa shoqërive tregtare, si dhe për investime të mëtejshme.
Nga hetimet rezulton se ortaku i vetëm i shoqërisë “A…” sh.p.k., A.H., ka deklaruar financimin e saj me rreth 100,072,890 lekë, shumë kjo që nuk justifikohet me burime të ligjshme. Po ashtu, evidentohet se janë kryer veprime fiktive dhe transaksione jashtë sistemit bankar, kryesisht në “cash” dhe përmes akteve jo noteriale, me qëllim fshehjen e origjinës së fondeve.
Sipas Prokurorisë, kjo shumë ka shërbyer si bazë për ngritjen e një aktiviteti ekonomik të mëtejshëm, duke u reflektuar në pasqyrat financiare si e ardhur e ligjshme dhe më pas duke u përdorur për blerje pasurish të paluajtshme, automjetesh dhe shpërndarje fitimesh në formë pagash e dividentësh, të cilat janë riinvestuar sërish.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se disa shoferë të punësuar në shoqëritë në pronësi të subjekteve nën hetim janë kapur duke transportuar para të padeklaruara në kufi, në rrethana të dyshimta mbi origjinën e tyre.
Në përfundim të hetimit, Prokuroria Fier kërkon konfiskimin e pasurive si më poshtë:
Pasuri në emër të A.H. dhe M.H.:
- Pasuria e llojit “apartament” me sipërfaqe 135.60 m², me vendndodhje Bashkia Fier;
- Pasuria e llojit “apartament” me sipërfaqe 127 m², me vendndodhje Bashkia Fier;
- Pasuria e llojit “apartament” me sipërfaqe 59 m², me vendndodhje Bashkia Fier;
- Pasuria e llojit “njësi” me sipërfaqe 17.10 m², me vendndodhje Tiranë; dhe
- Pasuria e llojit “njësi” me sipërfaqe 31 m², me vendndodhje Vlorë.
Pasuri në emër të shoqërisë “A…” sh.p.k.:
- Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 3949 m², me vendndodhje Fier.
Pasuri në emër të shoqërisë “A I” sh.p.k.:
- Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 1971 m², me vendndodhje Fier;
- Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 3926 m², me vendndodhje Fier;
- Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 2942 m², me vendndodhje Fier; dhe
- Pasuria e llojit tokë “arë”, me sipërfaqe 3931 m², me vendndodhje Fier.
Pasuri në emër të K.H.:
- Pasuri e llojit “apartament”, me sipërfaqe 55 m², me vendndodhje Bashkia Fier; dhe
- Pasuri e llojit “apartament” me sipërfaqe 137 m², me vendndodhje Bashkia Fier.
Kuota shoqërish tregtare:
- Kuotat e shoqërisë “A….” sh.p.k;
- Kuotat t shoqërisë “A… T….” sh.p.k;
- Kuotat e shoqërisë “A… B…” sh.p.k;
- Kuotat e shoqërisë “A…. I….” sh.p.k.; dhe
- Kutoat e shoqërisë “M… T….” sh.p.k.
Çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë mbi kërkesën për konfiskimin e këtyre pasurive.a.b




