FOTO GALERI/ Grabitësit 4 minuta për “spektaklin” në Rinas, policia vetëm pas...

FOTO GALERI/ Grabitësit 4 minuta për “spektaklin” në Rinas, policia vetëm pas 10 minutash e mori vesh

96
0
Shares

Image GalleryMë në fund Polica ka reaguar zyrtarisht për grabitjen e djeshme në Rinas.
Ka qenë vetë drejtori i Policisë Vendore të Tiranës, Ervin Hodaj, i cili ka marrë përsipër të zyrtarizojë zhvendosjen e përgjegjësisë së policisë në këtë grabitje.
Kryepolici i Tiranës Ervin Hodaj, foli për përgjegjësi “Nazeri 2000”, TIA, ICTS  e AAC, por asnjë fjalë nuk tha për përgjegjësinë e policisë…, apo aq më tepër për identifikim të mundshëm të autorëve të grabitjes
Por ajo që përbën një skandal më vete në këtë grabitje, është fakti, që ndërsa grabitësve ju deshën vetëm 4 minuta për të realizuar “spektaklin” në pistën e aeroportit të Rinasit, polica vetëm pas 10 minutash e ka kuptuar se ka ndodhur grabitja.

Deklarata e plotë e drejtori i Policisë Vendore të Tiranës, Ervin Hodaj


ervin hodajNë lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 30. 06. 2016 në Aeroportin ‘’Nënë Tereza”, Rinas, dëshiroj të bëj me dije publikun për sa më poshtë:
Në orës 14:23 të datës 30. 06. 2016, sipas orës së sistemit të kamerave të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, një person i veshur me jelek me ngjyrë portokalli me fasha fosforeshente, kapërcen portën e ndodhur në skajin veri-perëndimor të pistës,  portë e cila përdoret vetëm për hyrje-daljen e mjeteve që furnizojnë me karburant avionët.
Ky person ka prerë  drynin e derës dhe pasi ka hapur atë, në territorin e  pistës futet një automjet tip Mercedes Benz me ngjyre vishnje. Autorët janë futur me makine  në vendqëndrimin e automjeteve te shërbimit dhe kanë kryer vjedhjen e parave që ndodheshin në makinën e blinduar të shoqërisë “Nazeri 2000”. 
Në  orën 14:27 ky automjet duket që del përsëri nga territori i aeroportit nga e njëjta portë, prej nga hyri.
Rezulton se pas daljes nga porta, autorët janë larguar në drejtim të aksit rrugor Rinas – Fushë Krujë – Vorë.
Në orën 14:33, 10 minuta pas thyerjes së sigurisë së rrethimit të jashtëm të aereoportit, Salla Operative e DVK&M Tiranë njoftohet nga ODM (Operatori i Drejtimit dhe Menaxhimit të Aeroportit), se persona të armatosur kanë hyrë me automjet brenda territorit të pistës së avionëve dhe kanë kryer një grabitje.
Menjëherë me marrjen e njoftimit shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve duke  konstatuar një automjet tip Mercedes Benz i cili po digjej.
 Në ndjekje të autorëve janë vënë forcat RENEA, FNSH, forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Komisariatit Kruje, dhe specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit.
 Gjithashtu  është ngritur në fluturim me efektiva të policisë RENEA helikopteri i Policisë  për krehjen e zonës nga ajri.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor ku ka vazhduar puna për zbulimin dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje.
Nga të dhënat paraprake të hetimit, rezulton se persona të maskuar me maska dhe paruke, të armatosur me armë automatike të llojit kallashnikov, nën kërcënimin e armëve, kanë arritur të grabisin një sasi valute të kartëmonedhave të ndryshme, të deklaruar më pak se 1 milion Euro, ne automjetin tip blind te shoqërisë SH.P.S.F. “Nazeri 2000”.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dëshmitë e marra deri tani dhe të gjitha të dhënat paraprake hetimore, autorët nuk kanë qëlluar me armë.
Reagimi i Policisë  ka qenë i menjëhershëm pas njoftimit të dhënë, megjithëse sipas regjistrave, është njoftuar rreth 10 minuta pas hyrjes së makinës dhe 5 minuta pasi autoret jane larguar nga rrethimi i aeroportit. 
Dua të bëj me dije se në sallën e monitorëve të mbikëqyrjes me kamera, nuk ka asnjë prezencë të policisë dhe njoftimi për ngjarje që ndodhin në aeroport bëhet nga punonjësit e ODM.
Gjithashtu, në bazë të Marëveshjes Konçensionare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Konçensionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e Avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave CCTV, e bën në mënyrë eksluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë.
Madje vetë policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje, e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aereoport. 
Ndërkohë që bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit dhe në Ligji Nr. 9861 datë 24.01.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirt shtetëror”, Policia e Shtetit mban përgjegjgësi për sigurinë e udhëtarëve në Aeroportin Nënë Tereza, dhe veçanërisht në Pikën e Kalimit Kufitar Ajror, që është territori nga kabina e kontrollit, salla e tranzitit deri në vendqëndrimin e avionit. 
Gjithashtu, Policia e Shtetit, bazuar edhe në masat e shtuara të sigurisë, të marrra në kuadër të luftës kundër terrorizmit, kryen shërbim me patrulla të shtuara në kabinat e kontrollit të pasagjerëve në hyrje-dalje, në ambjentet e brendshme dhe para terminalit të pasagjerëve, në ambjentet e intervistimit të shtetasve të kthyer dhe për sigurimin e personave të shoqëruar në ambientet e Komisariatit.
Sa më sipër, theksojmë se perimetri i jashtëm i aeroportit, patrullimi nga brenda i perimetrit të aereoportit, portat hyrëse të tij, vendpushimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe salla e kamerave CCTV,  janë përgjegjësi direkte e kompanisë ICTS, e cila është kontraktuar nga TIA (Tirana International Airport).
Pikërisht për shkak të konstatimit të shpeshtë të mungesës së disa elementëve të sigurisë, Policia e Shtetit me shkresë nr 457 datë 21.04.2014 i ka komunikuar autoritetit Aeroportual TIA, në lidhje me mangësitë të konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, veçanërisht për sistemin e kamerave, pasi kamerat nuk mbulonin me monitorim të gjitha pikat nervlagjike të aeroportit.
Me shkresë ref. RCV/IA, datë 24.04.2014, protokoll 273/1, nga Autoriteti Aeroportual TIA, i është kthyer përgjigje Komisariatit të Policisë Rinas se: Shqetësimet e ngritura lidhur me sigurinë dhe kamerat e sigurisë, nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit.
Në vazhdimësi të korrespodencës për riparimin e mangësive të  konstatuara, me shkresë nr 496 protokoll 25 .04.2014 Komisariati i Policisë Kufitare Rinas i është drejtuar Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC),  me kërkesë për ndërhyre për marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e problematikave të konstatuara lidhur me sigurinë në Aereoport, duke i kërkuar Koncesionarit që të zgjidhe menjëherë problemet e sigurisë në përputhje me standardet ndërkombëtare për sigurinë në Aeroporte.
Nga Autoriteti i Aviacionit Civil akoma deri ditën e sotme nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Po në vijim të korrespodencës me shkresë nr 534/protokoll datë 24.03.2016, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas, i kërkon autoritetit Aeroportual TIA, marrjen e masave për lëvizjen e mjeteve të shërbimeve të linjave ajrore brenda në pistë si dhe rishikimin e sistemit të kamerave.
Në mbledhjen e këshillit të sigurisë së aeroportit datë 30. 03. 2016 mbajtur me protokoll nr 145  Ref : RCV-GM/STO nga ana e Policisë së Shtetit është kërkuar rishikim i masave të sigurisë përfshirë dhe sistemin e kamerave si dhe shkëmbim i menjëhershëm i informacionit në rast të ngjarjeve të mundshme kriminale.
Në lidhje me veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes theksojmë se janë angazhuar kapacitetet më të  kualifikuara dhe të specializuar të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë.
Po punohet intensivisht në disa pista për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve në dhënien e informacioneve të vlefshme në lidhje me këtë ngjarje dhe siguron ruajtjen e anonimatit.
Policia e Shtetit është e angazhuar për të garantuar siguri maksimale të qytetarëve në Aeroportin e Rinasit, ashtu siç do të kërkojë në vazhdimësi shtimin e masave të sigurisë nga të gjithë institucionet që kanë përgjegjësi për garantimin e sigurisë brenda aeroportit dhe çdo mjedisi tjetër.
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY