Është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë shtetasi Aleks Ndreka, i arrestuar në shtetin fqinj pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza”.
Ndreka ishte vendosur më herët nën masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, pasi dyshohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve.
49-vjeçari është një nga 15 personat e shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Sipas autoriteteve, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në vitin 2023 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas policisë, shtetasi A.N. dyshohet se ka siguruar informacione për vendndodhjen e tre shtetasve shqiptarë dhe më pas ka organizuar e koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke ngritur prita me qëllim eliminimin e tyre.
Aleks Ndreka, i njohur edhe me mbiemrin Deda, konsiderohet një personazh i njohur në botën e krimit, veçanërisht në zonat e Lezhës dhe Shkodrës. Ai njihet ndryshe edhe me nofkën “Leksi Druve” dhe ndaj tij janë regjistruar disa atentate ndër vite, mes tyre edhe një tentativë e dyshuar me dron.
Sipas dosjes së Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka dyshohet se kishte kërkuar vrasjen e Ndrekës, pasi dyshonte se ai kishte ndihmuar në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka.a.





