Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën këtë të premte me thirrje të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për të rishqyrtuar vendimin unifikues të vitit 2011 që lidhet me caktimin dhe kohëzgjatjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Seanca nisi në orën 09:30 dhe në të morën pjesë 16 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Pas rreth dy orësh diskutime, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura.
Vendimi unifikues i vitit 2011 ka shërbyer për më shumë se një dekadë si referencë për gjykatat në përcaktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”. Ndërkohë, vendimi i ndërmjetëm që po shqyrtohet synon një interpretim të ri të neneve 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Diskutimi fokusohet në tre çështje kryesore: përcaktimin e rrezikshmërisë, momentin kur duhen marrë në konsideratë masat alternative ndaj arrestit dhe mënyrën se si duhet vlerësuar rreziku i prishjes së provave.
Në seancë mori fjalën edhe zëvendësprokurori i përgjithshëm, Arqile Koça, i cili u shpreh se ishte deri diku dakord me nevojën për standardizim, por theksoi se Gjykata e Lartë duhet të tregojë kujdes në interpretimin e ri.
Debatet në sallën e madhe
Prokurori Arqile Koça (Përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme):
“Barra për caktimin e masës arrest në burg i takon prokurorit. Nuk mund të varet vetëm mbi provat për sjelljen e të pandehurit. Vlerësohen nga gjykata në harmoni me provat e tjera.
Jo më kot në pjesën time të parë bëra analizë në të cilën duhet ta mbështesim vendimin tonë. KEDNJ dhe praktika në zbatim të saj është mbi Kodin e Procedurës Penale.”
Gjyqtari Sokol Binaj:
“Të sqarojmë Kodin tonë njëherë pastaj Kodin e GjEDNJ-së.”
Arqile Koça:
“Ka përcaktuar se për të vendosur arrest në burg s’mund të niset thjesht e vetëm nga masa e dënimit. Këtë ka thënë KEDNJ dhe praktika gjyqësore e Gjykatës së Lartë. Nuk mund të nxirret rrezikshmëria e veçantë e veprës penale dhe e autorit thjesht e vetëm nga marzhi i dënimit për veprën penale që akuzohet.”
Gjyqtari Enton Dhimitri:
“Pyetjet e shtruara për njësim nga Kolegjet e Bashkuara në raport me vendimin unifikues të 2011, thatë se nuk vijnë natyrshëm. Pyetja vjen natyrshëm: pse duhet ta ndryshojmë? Nëse janë reflektuar ndryshimet, pse kemi nevojë për ndryshim? Nëse pranojmë parimin se barra e provës i takon prokurorit për masën, ka detyrim prokurori për përshtatshmërinë, pse duhet ta ketë edhe gjykata këtë objekt? Mos do kemi përmbysje të barrës së provës nga prokurori i kalon gjykatës?”
Prokurori Arqile Koça:
“Ka një kuptim të ndryshëm të paktën me atë që quhet praktika e Gjykatës së Lartë. Mendoj se duhet të jetë ky debat, nëse janë vendimet njësuese apo më shumë se kaq. Edhe pse quhet njësues, sa unifikuese e njësuese janë paragrafët përkatës.
Disa kanë pikëpamje se praktikë gjyqësore është edhe nëse Gjykata e Lartë mban për një çështje të caktuar qëndrim të njëjtë dhe të vazhdueshëm. Marrim parasysh qëllimet e asaj që duhet të arrijmë. Mendoj se janë pozitive, por s’duhet të pengojnë arritjen e objektivave në përmirësimin e legjislacionit.
Sistemi penal nis nga OPGJ, prokurori dhe gjykata. Gjykata nuk arrin në konkluzione e vetme; e bën prokurori. Nëse prokurori e bind, e bind; nëse jo, veprohet ndryshe në bindjen tjetër. Kemi frikë mos kalojmë në problemin tjetër të cenimit të interesit publik. Unë përfaqësoj interesin publik dhe kërkoj të jemi të kujdesshëm. Ok të dalë jashtë, po si do sigurohemi që do vijë në seancë gjyqësore? Tej shqetësimit tuaj që mund të jetë i drejtë, unë ngrej shqetësimin e prokurorisë.”
Arqile Koça:
“Duhet të kemi parasysh se vendimi gjyqësor është ndaj një personi dhe është produkt i mbledhjes së provës dhe fakteve, jo vetëm juridik i prokurorit e gjykatës, por edhe social etj. Kam frikë se nëse do jetë kategorike, do jetë shumë problematike.”
Gjyqtarja Arbena Ahmetaj:
“Kjo listë duhet të lidhet edhe me personalitetin e personit nën hetim? Ju mendoni se barra e provës mund të ushtrohet vetëm në zbatim të vendimit të shkallës së parë apo edhe në hallka të tjera?”
Arqile Koça:
“Nuk mund të nisemi thjesht e vetëm nga madhësia e veprës së kryer, por edhe tek elementë të tjerë. Kontributi në veprën penale është parësor apo dytësor, çfarë roli ka personi në vepër. Gjykatat, në funksion të tagrave të secilës shkallë, kanë të drejtën dhe detyrimin të verifikojnë aq sa mund të verifikojnë.
Masa e arrestit në burg merret pas një debati gjyqësor. Verifikimi bëhet në seancë me debat ku palët diskutojnë nëse kjo masë duhet të qëndrojë apo jo. Çdo dy muaj gjykata nuk është e kufizuar. Gjykata duhet të arsyetojë më gjerësisht.
Standardi i Strasburgut i thotë prokurorit: ‘Çfarë ke bërë këto tre muaj, pse duhet ta zgjasësh hetimin?’ Pra gjykata, mendoj, duhet të jetë më kërkuese. Parimi është se vetëm pavlefshmëritë e pariparueshme duhet të kthehen për rigjykim; të riparueshmet vlerësohen dhe rregullohen në të njëjtin gjykim.” a.n




