Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Metaj për shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që kanë caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Çështja u shqyrtua në seancë plenare më 8 prill 2026 mbi bazë dokumentesh, ku Meta kërkonte shfuqizimin e disa vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke pretenduar se ato janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se kërkuesi legjitimohet për të kërkuar kontroll kushtetues mbi vendimet gjyqësore që kanë vendosur ndaj tij masën e sigurimit personal.
Sa i përket pretendimeve për trajtim çnjerëzor gjatë ekzekutimit të masës së arrestit në tetor të vitit 2024, Gjykata konstatoi se për këtë çështje ekziston një procedim penal i regjistruar në vitin 2025 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”. Për shkak se hetimet janë ende në vijim dhe nuk ka një vendim përfundimtar nga gjykatat e zakonshme, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se nuk mund ta shqyrtojë këtë pretendim në këtë fazë.
Në analizën e saj për kufizimin e lirisë personale, Gjykata theksoi se në çështjen penale ndaj Metës ekzistojnë fakte dhe informacione që mund të bindin një vëzhgues të jashtëm se ai mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet.
Sipas vendimit, masa e sigurisë është vendosur për një qëllim të ligjshëm, që lidhet me garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal dhe nuk konsiderohet joproporcionale në raport me rrethanat e çështjes dhe nevojat e hetimit.
Vendimi i Kushtetieses u mor me shumicë votash. m.k




