Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë sot kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për heqjen e masës së sigurisë “arrest”. Seanca plenare është caktuar të nisë në orën 11:00 dhe do të zhvillohet mbi bazë dokumentesh.
Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkesa është paraqitur nga vetë Ilir Metaj, ndërsa palë të interesuara në këtë proces janë Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Objekti i shqyrtimit lidhet me shfuqizimin e dy vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përmes të cilave është vendosur masa e sigurisë ndaj Metës.
Ish-presidenti kërkon që Gjykata Kushtetuese të konstatojë shkelje dhe të shfuqizojë vendimet e mëparshme, duke synuar heqjen e masës së arrestit.





