Kryeministri Edi Rama mashtroi pensionistët për bonuset, rritja stratosferike e çmimeve po e godet rëndë këtë shtresë, deklaroi sot në një konferencë për shtyp kreu i PD, Sali Berisha.
DEKLARATA/ Sot, dua të denoncoj qëndrimin cinik të pashpirt të qeverisë, Edi Ramës ndaj shtresës më vulnerabël, më të dëmtueshme që është shtresa e pensionistëve shqiptarë.
Rritja stratosferike e çmimeve, e ndikuar thellësisht nga kriza energjetike, ka goditur dhe godet çdo ditë e më shumë këtë shtresë të mashtruar, të injoruar në shkallë ekstreme nga qeveria.
Së pari dua të theksoj se skema e bonusit, e përdorur në zgjedhjet e 11 majit, pas zgjedhjeve faktohet një mashtrim i vërtetë.
Kanë kaluar kaq muaj dhe pensionistët nuk kanë marrë një qindarkë nga fondi i depozituar në Bankën e Shtetit prej 240 milionë eurosh para të pashpenzuara gjatë vitit 2025.
Sipas vendimeve të qeverisë dhe premtimeve, ato do u disbursoheshin si bonus pensionistëve.
Asnjë qindarkë nga ky fond gjer sot nuk është disbursuar, çka do të thotë se ai po përdoret nga qeveria për qëllime të tjera dhe po ruhet që t’u jepet në fund të vitit.
Pra, nuk po u mundësohet pensionistëve me çmimet stratosferike që rriten nga java në javë, nga muaji në muaj.
Së dyti, skema e bonusit është mashtrim pasi në këtë skemë mbi 45 përqind e pensionistëve nuk marrin asgjë, ose marrin thërrime, marrin dy kile domate apo tre kile tranguj.
Faktikisht bonusi që përfitohet sipas kësaj skeme përjashton pothuajse tërësisht të gjithë pensionistët me pensione invaliditeti, pensione jo të plota e me radhë.
Kështu që çdo ditë jeta e pensionistëve bëhet më e vështirë.
Në qoftë se kemi parasysh sot çmime që nuk kanë ekzistuar kurrë në tregun e zarzavateve, treg në të cilin një kg domate shitet të paktën 7 herë më shtrenjtë se 7-8 vite më parë, pra kjo bën që kjo shtresë prej 750 mijë qytetarësh të ndjenjë pamundësinë dhe vështirësi të mëdha ditore për ushqimin e vet.
Kjo bën që kjo shtresë të mos mund të blejë ilaçet që i duhen për mjekimin ditor të sëmundjeve, dhe dihet se incidenca e sëmundjeve kronike në këtë shtresë është shumë, shumë e lartë. a.b




