Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partia Socialiste e Shqipërisë, Edi Rama, ka mbledhur këtë të mërkurë, më 11 mars, Kryesinë e partisë në selinë rozë në Tiranë. Takimi ka nisur rreth orës 09:30 dhe vjen në kuadër të përgatitjeve për procesin zgjedhor brenda strukturave të partisë, por edhe një ditë para votimit të imunitetit të Ballukut në Parlament.
Mbledhja zhvillohet në një moment kur socialistët kanë nisur diskutimet për riorganizimin e strukturave dhe përgatitjen për zgjedhjet e brendshme partiake. Më herët, kreu i qeverisë ka njoftuar hapjen e këtij procesi më 3 mars, duke sinjalizuar nisjen e një faze të re organizimi në të gjithë vendin.
Sipas parashikimeve, zgjedhjet për strukturat e Partia Socialiste e Shqipërisë mund të zhvillohen gjatë periudhës qershor–korrik, megjithatë ende nuk është përcaktuar një datë konkrete për mbajtjen e tyre.
Në takimet e mëparshme me drejtuesit politikë dhe strukturat e partisë, Edi Rama u ka kërkuar socialistëve që të intensifikojnë komunikimin me anëtarësinë në bazë. Ai ka theksuar nevojën për një dialog më të gjerë me strukturat lokale, duke kërkuar fokus të veçantë në disa bashki ku, sipas tij, duhet rritur angazhimi dhe bashkëpunimi me anëtarët e partisë.
“Të shtrijmë dialogun me bazën dhe të përqendrohemi në bashki të caktuara, duke forcuar bashkëpunimin me bazën socialiste”, është një nga porositë që kreu i socialistëve ka dhënë për strukturat e partisë.
Në mbledhjet e fundit të Kryesisë kanë qenë të pranishëm drejtuesit politikë të 12 qarqeve të vendit, si dhe anëtarët e Kryesisë së Partia Socialiste e Shqipërisë, të cilët pritet të jenë pjesë edhe e procesit organizativ për zgjedhjet e ardhshme brenda partisë.a.b




