Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit është ndërprerë që në nisje të saj, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, duke mos u plotësuar kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e votimit.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi ndërprerjen e seancës dhe theksoi se ajo do të vazhdojë në një moment tjetër, nëse plotësohen kushtet ligjore për zhvillimin e procesit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të proceduar me zgjedhjen e presidentit duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë në sallë.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë gjatë kësaj seance u bëra thirrje deputetëve që mungojnë të jenë të pranishëm, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, situata mbetet e njëjtë dhe nuk i kemi dy të tretat e deputetëve,” u shpreh Haxhiu.
Para ndërprerjes së seancës, në Kuvend u prezantuan edhe dy kandidatët për president nga Lëvizja Vetëvendosje: Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku.
Një ditë më parë, Haxhiu kishte deklaruar se nga momenti i thirrjes së seancës për zgjedhjen e presidentit nis të rrjedhë afati kushtetues prej 60 ditësh. Ajo theksoi se nuk është e qartë se çfarë ndodh nëse presidenti zgjidhet pas datës 6, duke e cilësuar situatën si një “terren të pashkelur”.
Sipas nenit 82 të Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi mund të shpërndahet nëse brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës nuk arrin të zgjedhë presidentin e vendit. Ndërkohë, neni 86 parashikon që presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të kreut aktual të shtetit.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill.
Osmani kishte shprehur ambicien për një mandat të dytë, por nuk arriti të sigurojë 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim. Madje, mes Presidencës dhe Lëvizja Vetëvendosje pati përplasje lidhur me pretendimet nëse këto nënshkrime i ishin ofruar apo jo.
Ndërkohë, të enjten Osmani depozitoi në Kuvend edhe propozimet për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët. Megjithatë, për shkak të mungesës së kuorumit, këto propozime nuk u shqyrtuan dhe mbetën pa u miratuar.





