Kur në pushtet ishin demokratët, autoritetet e Ministrisë së Brendshme nuk kanë konstatuar asnjë mungesë të elementëve të sigurisë në Aeroportin e Rinasit.
Ish-shefi i komisariatit të aeroportit, Zijadin Allaraj thotë se kjo mund të ketë ardhur si pasojë e amortizimit me kalimin e kohës, ndërsa sipas tij përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi policinë.
“Në kohën time nuk kam konstatuar asnjë element mosfunksionues. Bëhet fjalë për të njëjtën kontratë, por dua të them se brenda rrethimit të aeroportit, apo pista presupozohet të jetë vendi më i sigurt sot për sot në Shqipëri. Përgjegjës për sigurinë janë edhe Policia e Shtetit, edhe ICTS-ja. Nuk mund ta ndalojë askush Policinë e Shtetit që të kryejë detyrën e vet të caktuar me ligj”, shprehet Zijadin Allaraj, ish-shef i Komisariatit të Rinasit.
Allaraj thotë se policia është përgjegjëse për sigurinë brenda dhe jashtë perimetrit të aeroportit, e madje thotë se të gjitha portat hyrëse në kohën e tij ruheshin nga efektivë të uniformave blu.
“Është detyrë e padiskutueshme e Policisë Kufitare të Rinasit, që të marrë masa për sigurimin e aeroportit, brenda dhe jashtë perimetrit. Përjashto Policinë e Shtetit në pistën e aeroportit të Rinasit, nuk mund të futet asnjë person tjetër i pajisur me armë. Portat ku operojnë të gjithë operatorët duhet të shoqërohen me shërbim policie. Porta nga ku janë futur vlerat monetare ka të dislokuar shërbim policie 24 orë në ditë”, deklaron Zijadin Allaraj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/