JOZEF STIGLITZ/Nga Brexit te e ardhmja*

JOZEF STIGLITZ/Nga Brexit te e ardhmja*

80
0
Shares

Tretja e komplikimeve të plota të referendumit për “Brexit” të Mbretërisë së Bashkuar do të kërkojë shumë kohë në Britani, Europë dhe më gjerë. Pasojat më të thella, natyrisht do të varen nga mënyra se si Bashkimi Europian do t’i përgjigjet tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar. Shumica e njerëzve fillimisht supozuan se BE-ja “nuk do të pështyjë në fytyrën e vet”: në fund të fundit, një divorc miqësor duket se është në interes të të dyja palëve. Por divorcet – si në shumicën e rasteve – mund të bëhen punë plot telashe.

Përfitimet nga integrimi tregtar dhe ekonomik mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar janë të ndërsjellta, dhe nëse BE-ja është serioze në besimin se integrimi më i madh ekonomik është më i mirë, udhëheqësit e saj do të duhet të përpiqen që të sigurojnë lidhjet më të ngushta të mundshme pavarësisht rrethanave. Por Jean-Claude Juncker, arkitekti i skemës së stërmadhe të shmangies së pagesës së tatimit mbi fitimin nga korporatat për Luksemburgun, dhe që aktualisht është president i Komisionit Europian, po ndjek politikën e vijës së ashpër: “Dalje do të thotë dalje,” thotë ai.

Ky reagim instiktiv është ndoshta i kuptueshëm, duke parë se Juncker mund të mbahet mend si personi që drejtoi fazën fillestare të shpërbërjes së BE-së. Ai argumenton se, për të parandaluar vendet e tjera që të dalin, BE-ja nuk duhet të bëjë kompromise, duke i ofruar Mbretërisë së Bashkuar vetëm diçka më shumë nga ajo që garantohet nga marrëveshjet e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Me fjalë të tjera, Europa nuk do të mbahet bashkë për shkak të përfitimeve, të cilat janë shumë më të larta se sa kostot. Prosperiteti ekonomik, ndjenja e solidaritetit dhe krenaria e të qenit europian nuk janë mjaftueshëm, sipas Juncker. jo, Europa do të mbahet bashkë nga kërcënimet, kanosjet dhe frika.

Ky pozicion injoron një leksion të parë si gjatë votimit për Brexit ashtu edhe gjatë zgjedhjeve primare në Partinë Republikane Amerikane: leksioni është që segmente të shumta të popullsisë kanë qenë duke vuajtur. Axhenda neoliberale e katër dekadave të fundit mund të ketë qenë diçka e mirë për 1 përqindëshin e pasur të popullsisë, por jo për pjesën tjetër. Unë e pata paralajmëruar prej kohësh se ky stanjacion do të sjellë në fund, pasoja politike. Kjo është ajo që po ndodh.

Në të dyja anët e Atlantikut, qytetarët po grinden me marrëveshjet tregtare si burim i shqetësimeve të tyre. Ndërsa e gjitha kjo është një thjeshtëzim i tepruar i realitetit, është gjithashtu e kuptueshme. Marrëveshjet tregtare të sotme negociohen në mënyrë sekrete, me interesat e korporatava të mirëprezantuara, por qytetarët e sakonshëm apo punëtorët mbahen krejtësisht jashtë. Nuk është surprizë që rezultatet janë të njëanëshme: pozicioni negociues i punëtorëve është dobësuar vazhdimisht, si pasojë e ligjeve që kanë minuar organizimet sindikale dhe të drejtat e punëmarrësve.

Ndërsa marrëveshjet e tregtisë kanë luajtur një rol në këtë pabarazi, shumë gjëra të tjera kanë ndikuar për ta anuar balancën politike drejt kryeqytetit. Rregullat e pronësisë intelektuale, për shembull, kanë rritur fuqinë e kompanive farmaceutike për të rritur çmimet. Por çdo rritje e fuqisë tregtare të korporatave është në thelb një ulje e pagave reale – një rritje në pabarazi që është bërë tipari dallues i shumicës së vendeve të zhvilluara sot.

Mes shumë sektorëve, përqendrimi industrial është në rritje – dhe po kështu edhe fuqia e tyre tregtare. Efektet e pagave reale në stanjacion dhe në rënie janë kombimuar së fundmi me masat e kursimeve buxhetore, duke kërcënuar shkurtim të shërbimeve publike nga të cilat varen shumë nga njerëzit me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Pasiguria ekonomike që është krijuar nga kjo për punëtorët, kur kombinohet me migrimin, ka krijuar një kokteil helmues. Shumë refugjatë janë viktima të luftërave dhe persekutimeve për të cilat perëndimi ka kontribuuar. Që të ofrosh ndihmë për ta, kjo është përgjegjësi e të gjithëve, por është veçanërisht përgjegjësi e ish fuqive koloniale.

Dhe megjithatë, ndërsa shumë mund ta mohojnë këtë, një rritje e ofertës për punë të pakualifikuar sjell – për sa kohë që kemi kurbën normale rënëse të kërkesës – një ulje të pagës ekujlibër. Dhe kur pagat nuk mundet apo nuk duan të ulen, papunësia rritet. Ky është shqetësim më i madh në vendet ku keqmenaxhimi ekonomik ka sjellë sakaq një nivel të lartë papunësie të përgjithshme. Europa, veçanërisht eurozona, ka qenë e keqmenaxhuar përgjatë dekadave të fundit, deri në atë pikë sa papunësia e saj mesatare është në nivel dyshifror.

Migrimi i lirë brenda Europës nënkupton që vendet që kanë punuar më mirë për reduktimin e papunësisë do të përfundojnë në fund me shumë më tepër migrantë nga sa do të qe e drejtë në raport me përmasat e tyre. Punëtorët në këto vende vuajnë kostot e pagave në depresion dhe papunësisë më të lartë, ndërsa punëdhënësit përfitojnë nga puna më e lirë. Barra e refugjatëve, pa surpriza rëndon mbi ata që kanë më pak mundësi për ta përballuar.

Natyrisht, ka shumë të folur për përfitimet neto të migrimit. Për një vend që ofron nivel të ulët përfitimesh të garantuara – mbrojtje shoqërore, arsim, kujdes shëndetësor etj – për të gjithë qytetarët, ky mund të jetë shpjegimi. Por për vendet që ofrojnë rrjet dinjitoz të mbrojtjes shoqërore, e kundërta është e vërtetë.

Rezultati i të gjithë këtij presioni për poshtë në paga dhe shkurtimi i shërbimeve publike ka qenë goditje veçanërisht për shtresën e mesme, me pasoja të ngjashme në të dyja anët e Atlantikut. Familjet e shtresës së mesme dhe të ulët nuk kanë marrë përfitime nga rritja ekonomike. Ata kuptojnë që bankat shkaktuan krizën e vitit 2008; por kur panë se miliarda u çuan për të shpëtuar bankat, ata panë edhe disa përpjekje të parëndësishme për të shpëtuar shtëpitë dhe vendet e tyre të punës. Ndërsa të ardhurat mesatare reale (të axhustuara me inflacionin) për një punëtor me kohë të plotë mashkull në SHBA janë sot më të ulëta nga sa ishin katër dekada më parë, elektorati do të zemërohet dhe kjo nuk duhet të na habisë.

Politikanët që kanë premtuar ndryshim, për më tepër, nuk e mbajtën fjalën e dhënë. Qytetarët e zakonshëm e dinin se sistemi është i padrejtë, por ato zbuluan se ai është edhe më i manipuluar nga sa e kishin imagjinuar, duke humbur edhe atë pak besim që kishte mbetur në kapacitetin apo vullnetin e politikanëve të estabilishmentit për ta korrigjuar këtë. Kjo gjithashtu është e kuptueshme: politikanët e rinj ndanë të njëjtin këndvështrim me ata që patën premtuar se nga globalizimi përfitojnë të gjithë.

Por votimi me zemërim nuk i zgjidh problemet e madje mund ta bëjë situatën politike dhe ekonomike edhe më keq. E njëjta gjë është e vërtetë kur vjen puna se si duhet t’i përgjigjemi një vote të zemëruar.

Parimi bazë në ekonomiks është që ta lësh të shkuarën pas. Në të dy anët e Kanalit Anglez, politika duhet të drejtohet tani te të kuptuarit se si, në një demokraci, estabulishmenti politik ka bërë kaq pak për të trajtuar shqetësimet e kaq shumë qytetarëve. Çdo qeveri e BE-së duhet tashmë të kujdeset për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të zakonshëm si objektiv kryesor. Më shumë ideologji neoliberale nuk ndihmon. Dhe ne duhet të ndalojmë të ngatërrojmë qëllimet me mjetet: për shembull, tregtia e lirë, nëse menaxhohet siç duhet, mund të sjellë më shumë mirëqenie për të gjithë; por nëse nuk menaxhohet mirë, ajo do të ulë standardet e jetesës për shumë – ndoshta shumicën – e qytetarëve.

Ka alternativa ndaj rregullimeve aktuale neoliberale të cilat mund të ndihmojnë për të krijuar mirëqenie të përbashkët, ashtu siç ka edhe alternativa – të tilla si propozimi i presidentit Obama për Partneritetin TransAtlantik të Tregtisë dhe Investimeve me BE-në – e cila mund të shkaktojë më shumë të këqija se sa të mira. Sfida e sotme është që të mësojmë nga e shkuara në mënyrë që të shmangim të keqen dhe të arrijmë të mirën.

*Autori është fitues i çmimit Nobel në ekonomi

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY