Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam një nënë e divorcuar prej më pak se një viti. Kam një djalë 6 vjeç dhe aktualisht, po jetoj me prindërit e mi, nënën dhe babanë. Jam 30 vjeçe dhe u martova shumë e re, pasi burrin tim e njoha kur isha në gjimnaz. Ai ishte disa vjet më i madh se unë, ndërsa unë isha vetëm 18 vjeçe. Ishte dashuri me shikim të parë. Për shkak të moshës së tij pak më të madhe dhe sepse ishte njeri pa shkollë të lartë, prindërit nuk ishin dakord që ne të martoheshim, por dashuria jonë ishte më e madhe. U fejuam mbasi unë mbarova gjimnazin. Ai kishte një dyqan të familjes dhe herë pas here shkonte për furnizim jashtë vendit. Unë vazhdova shkollën e lartë për Gjuhë të Huaja dhe prej disa vitesh punoj si mësuese në një shkollë nëntë-vjeçare. Qëndruam të fejuar për gati 3 vjet dhe mund të them me plot gojën se lidhja jonë ishte e përkryer. Ai ishte mashkulli ideal! Më bënte dhurata, më sillte lule, sa herë ikte jashtë për të marrë mall për dyqanin më sillte gjithmonë veshje nga më të fundit.
Kur isha në vitin e fundit të universitetit, unë mbeta shtatzënë. Vendosëm të martoheshim ndonëse akoma nuk kishim një shtëpi. Morëm me qira një apartament të vogël, por ishim të lumtur. Vitet e para të martesës ishin të qeta dhe unë mendoja se gjithçka ishte në vendin e duhur. Lindëm një djalë i cili ishte bekim për të dy, por ndonëse të dy punonim, paratë nuk ishin të mjaftueshme sepse kishim një qira për të paguar dhe një fëmijë për të ushqyer. Rroga ime dilte vetëm për të blerë ushqimet dhe gjërat e tjera të nevojshme, ndërsa im shoq kishte probleme me dyqanin. Shitjet filluan të binin e kështu filluan problemet me mungesën e parave. Djali rritej çdo ditë e më shumë dhe rriteshin edhe kërkesat e tij, por biznesi po shkonte gjithnjë e më keq dhe kështu, im shoq u detyrua ta mbyllte. Që nga ai moment, nisën edhe problemet që i dhanë fund martesës sonë. Ai nuk ishte mësuar të bënte punë tjetër përveç dyqanit, nuk kishte profesion tjetër. Në momentin që e mbylli atë, u gjend i papunë dhe pa asnjë mundësi punësimi. Rroga ime nuk ishte e mjaftueshme prandaj insistoja çdo ditë që të gjente punë. Ai e kalonte ditën në shtëpi duke parë televizor ose në lagje me shokët e tij. Mua më ra përsipër të mbaja gjithë familjen ndërkohë që nuk kishim të ardhura të tjera. Shumë shpejt nisën debatet në shtëpi. Tensioni ishte i madh dhe marrëdhënia midis meje dhe bashkëshortit nisi të përkeqësohej çdo ditë e më shumë. Në vend që të kërkonte për çfarëdolloj pune, ai nisi ta kalonte gjithë ditën jashtë me shokët e tij duke pirë e duke treguar çdo ditë e më pak interes e përkushtim për familjen e tij. Po më vinte shpirti në majë të hundës! Gjithë ajo dashuri e madhe, kur lekët që sjell në shtëpi nuk dalin as për gjysmën e muajit, zhduket. Shpesh ndodhte që vinte i dehur në shtëpi, gjithashtu më kërkonte edhe para. Kjo situatë vijoi për disa muaj, derisa prindërit e mi të cilët më ndihmonin herë pas here, më thanë se nuk ishin më në gjendje të më mbanin mua, fëmijën dhe bashkëshortin tim. Kjo situatë kështu nuk mund të zgjaste më shumë.
U kërkova prindërve të mi të rikthehesha tek ata, të paktën derisa im shoq të kthehej në gjendje si më parë e të kishte gjetur një punë. Ata pranuan. Kur i thashë se do të ikja bashkë me djalin dhe se nuk mund ta përballoja më mungesën e tij dhe sjelljen prej të papërgjegjshmi, ai, sigurisht, nuk ishte dakord dhe shpërthehu në ulërima. I kërkova të shtrohej e të gjente një punë. Mbase atëhere do të rikthehesha me të. U largova mes një sherri të tmerrshëm dhe ulërimave. Për disa ditë nuk dëgjova asgjë nga ai. Dija që shtëpinë që kishim me qira nuk kishte më mundësi për ta paguar dhe me siguri ishte rikthyer te prindërit e tij.
Pas një muaji a më shumë, ai trokiti te dera e prindërve të mi. Fillimisht m’u duk në rregull, por kur filloi të fliste, e kuptova se gjërat për të ishin përkeqësuar. Ai kishte ardhur për të më thënë se nëse nuk do të kthehesha me të, do të kërkonte kujdestarinë e djalit. Pas një sherri tepër të madh, u desh ndërhyrja e babait tim që ai të largohej. Sherret vazhduan të ishin të njëpasnjëshme derisa një ditë më erdhi një fletëthirrje për t’u paraqitur në gjyq. Qëkur isha larguar nga shtëpia ku jetonim bashkë, ai ishte rikthyer te prindërit e tij. Me siguri i kishte bindur ata se për ndarjen tonë isha fajtore unë, ndaj tashmë unë isha e padëshiruar për prindërit e tij. Ata nuk ishin sjellë ndonjëherë keq me mua, por as kur kishim nevojë nuk na kishin ardhur ndonjëherë për ndihmë, madje vetëm shikonin ku e ku t’i merrnin ndonjë lek të birit. Pas rikthimit në shtëpinë e tyre, ata i kishin gjetur punë te një dyqan i kushëririt të tyre, ku ai punonte si roje natën. Duke qenë se unë isha ajo që isha larguar nga shtëpia, ata e kishin bindur se unë i kisha “rrëmbyer nipin”, ndaj kishin zgjedhur ta merrnin atë në rrugë ligjore. Shumë shpejt erdhi kërkesa për paraqitjen për në gjyq. Kërkesa për të më marrë djalin bazohej te fakti se unë kisha qenë një bashkëshorte e keqe, që tradhtoja burrin dhe nuk isha kujdesur për familjen në kohën kur im shoq kishte qenë në vështirësi ekonomike. Ndonëse kishte vendosur të më merrte djalin me rrugë ligjore, ai vinte herë pas here në shtëpi, madje e takoja edhe rrugës dhe vetëm më kërcënonte. Në një seancë gjyqi tha se unë nuk e lija as ta takonte djalin, kur unë vetë i kisha thënë që të caktonim dy ditë në javë ku ai të kishte mundësi të vinte të takonte të birin. Gjithë çfarë thoshte ai, ishin gënjeshtra. Sipas avokatit tim, gjyqi nuk po shkonte në favorin tonë dhe më tha se duhej të paguanim gjykatësin që ne të fitonim çështjen. Bëhej fjalë për një shumë jo të vogël, të cilën, unë nuk kisha ku ta gjeja. Ditët e vendimit të gjykatës po afroheshin dhe frika na kishte pushtuar të gjithëve. Një mikesha ime e cila punonte në bankë, më këshilloi të merrja një kredi me interes afatgjatë. Fatkeqësisht, kjo ishte e vetmja mënyrë, kështu që u detyrova të merrja kredi, vetëm për të mos rrezikuar tim bir. Një nënë është e aftë të bëjë gjithçka për fëmijën e vet, edhe nëse kjo do të thotë të sakrifikojë e madje të japë edhe rryshfet.
Im bir nuk u nda kurrë nga unë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Aktualisht, vazhdoj të paguaj kredinë e marrë dhe bëj njëkohësisht dy punë. Pavarësisht se kam shumë pak kohë të rri me të, jam e lumtur që ai është pranë meje; kjo më bën të ndjehem e qetë dhe e sigurtë. Sa për ish-bashkëshortin tim, që pas ditës së gjyqit, nuk e kam lejuar as të afrohet te pragu i derës sonë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/