Floriana Garo
Partia Demokratike ka reaguar lidhur me një dokument të rëndësishëm të zbardhur nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Shqipëria është trajtuar në një seancë dëgjimore të Komisionit për Punë të Jashtme, Nënkomisioni për Evropën.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, theksoi se fakti që shqetësimet për qeverisjen, korrupsionin dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri po artikulohen në institucionet më të larta amerikane, tregon se kriza shqiptare nuk është më një çështje e brendshme.
Sipas Garos, zhvillimet në Shqipëri prekin drejtpërdrejt demokracinë, stabilitetin rajonal dhe sigurinë euroatlantike. Ajo iu referua dëshmisë së ekspertit të Ballkanit, Edward P. Joseph, lektor në Universitetin Johns Hopkins, i cili iu përgjigj pyetjeve të kongresmenëve amerikanë për situatën në Shqipëri.
Në seancë u ngritën shqetësime serioze mbi pavarësinë e gjyqësorit, procesin e rregullt ligjor dhe integritetin e zgjedhjeve, duke iu referuar edhe gjetjeve të OSBE/ODIHR për procedime penale ndaj liderëve të opozitës përpara zgjedhjeve.
PD thekson se raportet ndërkombëtare evidentojnë drejtësi selektive, ndikim politik mbi institucionet dhe shkelje zgjedhore të përsëritura. Në këtë kontekst, u ngrit edhe nevoja për reforma reale në drejtësi dhe zgjedhje, si dhe u përmend si alternativë modeli i qeverisë kujdestare, i aplikuar në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Partisë Demokratike, ky dokument i Kongresit amerikan përbën një alarm të fortë ndërkombëtar për situatën në Shqipëri dhe një thirrje për veprim të menjëhershëm në mbrojtje të shtetit të së drejtës.a.b





