Në reagimin e tij të parë pas propozimit për vettingun nga ndërkombëtarët, kryeministri Edi Rama ka dhënë garancinë se shumica qeverisë do të votojë një reformë në drejtësi që ka mbështetjen e plotë të SHBA dhe BE.
Rama konfirmoi se propozimi i ri nuk është asgjë më shumë sesa propozimi i fundit që kishte bërë PD.
Deklaratat Kryeministri i bëri në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, ku i njohu deputetët me takimin që pati me Nuland dhe propozimin e ri për reformën.
Në mbledhje është diskutuar dhe për festën e 25 vjetorit të PS që zhvillohet nesër. Ai u ka kërkuar të jenë të pranishëm dhe të mos ketë mungesa.
“Dua tu them vetëm që kjo është reformë historike dhe me një rëndësi strategjike për të nesërmen e vendin tonë. Nuk është reforma e një pale, por reforma e një vendi që synon të bëhet anëtar i denjë i BE dhe nuk mund të jetë kurrë negociator i besueshëm në sytë e BE nëse nuk hedh themelet e një sistemi të ri drejtësie. Sa i përket vijave, ju siguroj se unë i njoh shumë mirë ngjyrat dhe ndërkohë vija e kuqe nuk është bërë nga peneli im por është përcaktuar nga SHBA-BE dhe që ka në esencën e vet proçesin e vettingut. për ne nuk ka qenë anjëherë problemI tek si Parlamenti do të votojë pasi kemi lëshuar 2/3, kemi rënë dakort për çdo qasje që garanton pjesmarrjen e opozitës bazuar dhe në rekomandimin e Venecias. Por thelbi është jo se kush do mbushë me ujë shishet por sa i pastër do jetë burimi prej nga uji. Pra si do të garantojmë që filtri i kandidaturave që pastaj i shkojnë Parlamentit të jetë i sigurt. Nëse filtri është i sigurt, për ne nuk ka asnjë problem tjetër”.
“Nuk e di kujt i referoheni ju kur flisni për ngjyra dhe zbehje. PS dhe shumica qeverisëse do të votojnë një reformë që ka mbështetjen e plotë të SHBA dhe BE. Të jeni të sigurt që as SHBA dhe as BE nuk bëjnë asgjë që cënon thelbin e kësaj reforme, formula e propozuar akomodon plotësisht një kërkesë të përsëritur dhe stërpërsëritur pa pushim të PD. Dhe unë po habitem pse PD nuk po thotë PO e lumtur”, shprehet Rama.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/