Krim i rëndë në familje në Orikum: burri dhunon për vdekje bashkëshorten dhe më pas vret veten
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e sotme qytetin e Orikumit, në Vlorë, ku një krim brenda familjes ka përfunduar me dy viktima. Sipas informacioneve paraprake, një burrë ka dhunuar për vdekje bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30. Burime bëjnë me dije se në banesë është gjetur pa shenja jete Sose Xhebroi, rreth 48 vjeçe, në trupin e së cilës janë konstatuar shenja të dukshme dhune, të dyshuara si të shkaktuara nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroi, rreth 52 vjeç. Gruaja ka ndërruar jetë në banesë si pasojë e dhunës.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve në ambientet përreth, kanë gjetur të vetëvrarë në garazh bashkëshortin e saj, i cili dyshohet se ka përdorur një armë zjarri. Pranë trupit të tij është konstatuar një pistoletë tip “Glock” dhe një gëzhojë kalibër 9 mm.
Sipas informacioneve paraprake, çifti raportohet se kishte pasur probleme të vazhdueshme dhe më herët kishte shkuar drejt divorcit. Ata janë prindër të dy djemve të rritur dhe posedonin gjithashtu një lokal në hyrje të Orikumit, ku punonin së bashku.
Lidhur me ngjarjen, Policia e Vlorës ka dhënë këtë njoftim zyrtar:
“Orikum/Informacion paraprak/ Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç. Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh. Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.”
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe sqarimin e rrethanave të këtij krimi të rëndë. a.b



