RREFIMI/ Do shokoheni me sekretin tim…

RREFIMI/ Do shokoheni me sekretin tim…

217
0
Shares

E di që kur të lexoni letrën time do të shokoheni, do të më paragjykoni ndoshta edhe do të më urreni. Në fakt nuk po e shkruaj këtë letër për të shkaktuar këtë efekt te njerëzit. Do të më vinte shumë mirë sikur, qoftë dhe një lexues, ta kuptonte gjendjen time; por nuk dua të bëj si ata njerëz që shkojnë përballë priftit dhe thonë: “Falmë at, se kam mëkatuar!” Dhe, në fakt, unë kam mëkatuar, por në emër të dashurisë.
Unë jam një njeri i mallkuar nga Perëndia.Jam një djalë 24 vjeç, i apasionuar pas meshkujve. Prej kohësh unë kam zbuluar se jam homoseksual, por ngaqë jetoj në Shqipëri e di se është shumë e vështirë që të tjerët ta pranojnë këtë prirje perverse. Kësaj i shtohet arsyeja se përse dua të ruaj anonimatin. Megjithatë, është një arsye tjetër më e fortë se kjo, të cilën do ta kuptoni pasi ta keni lexuar me durim këtë histori. Tani dua të bëj një retrospektivë, të kthehem 9 vjet mbrapa.
Jam rritur me frymën e dashurisë në romanet që lexoja kur isha 15 vjeç. I përpija ato histori me shpejtësi skëterre dhe më pas ëndërroja se si do të ishte jeta ime, si do të ishte djali i ëndrrave të mia. Kisha krijuar shumë ide, shumica e të cilave qenë të gabuara, gjë që e kuptova kur hapa sytë dhe pashë që jeta e vërtetë ishte ndryshe. Në atë moshë, doja t’i përjetoja ato skenat e fuqishme të dashurisë, si nëpër filma dhe si nëpër faqet e librave.
Unë ëndërroja që dikush të më merrte me forcë, të më rrëmbente, të bënte dahuri me mua me netë të tëra. Por, më kot prisja, sepse këto netë nuk vinin. Pavarësisht se mbetesha një djalë pasionant, shumë patetik, brenda të cilit vlonte gjaku, që dridhesha pas çdo shikimi apo komplimenti që merrja nga një djalë, çdo ditë e më shumë po shkatërrohesha, po torturohesha, po çmendesha për të provuar dashurinë që ëndërroja. Aq shumë sa nuk përqendrohesha tek mësimet, bëja veprime të pakontrolluara, tregoja shenja nervozizmi, derisa një ditë prindrit më çuan tek një neuropsikiatër.Nuk isha i çmendur, por as vetë nuk e kuptoj pse pranova të shtrohesha në spital psikiatrik, të rrija e të bisedoja me të çmendurit e kësaj bote.
Atje fillova të mësohesha me atë stil jete. Nisa të jetoja monotoninë e ditës duke e pranuar si diçka normale. Megjithëse nuk zgjati më shumë se dy muaj. Atje ndihesha i ndrydhur, hapësira ishte shumë e kufizuar, ndërsa unë kërkoja liri, ndihesha si i burgosur dhe, aq më tepër, ilaçet më shkatërruan.
U ktheva në shtepinë time.Muajt, vitet kalonin dhe unë, përlotur, rendja si i marrë për pakëz dashuri.Disa njerëz thonë se Zoti ekziston, por për mua kjo është një gënjeshtër e mallkuar. Zoti ekziston, por nuk ka aq fuqi sa t’i rregullojë gjërat në mënyrë të drejtë. Zoti nuk është për të gjithë.
Vera e vitit 2003 nisi me surpriza për mua.
Kisha vendosur t’i kaloja pushimet e verës te xhaxhai, në fshat. Shtëpia e xhaxhait ishte e veçuar nga shtëpitë e tjera dhe ishte larg qendrës së fshatit.Po lexoja një libër me poezi, kur papritur u hap dera dhe një rreze e fortë drite depërtoi e m’i verboi sytë. Por, kur u përqendrova më mirë, pashë që në mes të asaj rrezeje të ngrohtë e shumëngjyrëshe qëndronte një djalë i ri, që me bukurinë e tij të verbonte më shumë se rrezja.
Ai erdhi drejt meje me hapa aq të lehtë, sa dukej sikur fluturonte. Më kërkoi ndihmë.Ishte plagosur.E pashë që ishte i rraskapitur, i pafuqishëm, ishte i enjtur dhe i mpirë krejt…Unë dhe nusja e xhaxhait i qëndruam pranë dhe i mjekuam plagët e shkaktuara që dukeshin sikur i kishte nga ecja nëpër gurë e ferra.Mbeta i mahnitur nga pamja e tij. Kishte një fytyrë të ëmbël, dy sytë e tij ishin si një livadh i gjelbëruar, flokët e tij ia kishin vjedhur ngjyrën grurit, kishte një zë miqësor dhe një buzëqeshje të çiltër.Me pak fjalë, trupi i tij ishte një mrekulli.Ai u ngrit pak me vështirësi dhe vështrimet tona u përplasen dhe depërtuan në thellësi të zemrave të të dyve.Po përjetoja një emocion të bukur dashurie.Po më dukej sikur po jetoja në një botë tjetër.Zemra ime digjej nga deshira për të.Ai e kuptoi nga veprimet e mia që unë ndjeja diçka për të.I gjithë trupi më përvëlonte dhe doja që ta përqafoja fort, por u përmbajta.Ndihesha mirë kur isha pranë tij. Doja ta pyesja se çfarë i kishte ndodhur, por isha aq i lumtur për ato pak momente, sa nuk guxoja t’i prishja.
Pak ditë kaluan dhe ai u shërua. Kur mora vesh se ai do të largohej e do të shkonte te familja e tij, ndjeva një ndjenjë të rëndë në kraharor. Në një moment ai e kuptoi, u afrua dhe më pyeti se çfarë kisha.Mblodha të gjitha forcat e mia, mora guximin dhe i tregova gjithçka për jetën time, për ëndrrat, deshirat…pa marrë parasysh se si do të reagonte ai. Çuditërisht ai më falenderoi dhe, për të ma shpërblyer atë që kisha bërë unë për të kur ishte i plagosur, më tha: “Je gati ta provosh dashurinë me mua, dashurinë që ke ëndërruar? Por të lutëm mos më kërko që të të dashuroj.” Ishte një situatë absurde, por shumë joshëse.
Atë ditë u konsumua marrëdhënia jonë e parë.Ishte e fuqishme, e plotë, shpërthyese…Asnjëherë nuk isha ndjerë ashtu.U ndjeva plot jetë dhe besim. E di që do të mendoni që mund të jem i çmendur, i shthurur, apo ku e di unë se çfarë, por nuk është kështu. Jam thjesht një djalë me fat që arriti të provonte dashurinë që ëndërronte.
Vera po mbaronte dhe unë duhet të ikja nga xhaxhai, nga ai fshat që mora një kujtim të brishtë e të ëmbël dhe e ruaja me kujdes në zemrën time.
U ktheva në shtepi. Filloi shkolla dhe në atë kohë unë studjoja në universitet për Gjuhë- Letërsi, në Tiranë.Ndihesha euforik, i lumtur për faktin se edhe ai jetonte në Tiranë.
Sigurisht që pasuan shumë takime të tjera dhe e dija që ishte një gjendje që nuk do të mund të shkonte asgjëkundi, por, nga ana tjetër, ndihesha shumë mirë, i deshiruar, nuk doja që të mbaronte kurrë.Çfarë kërkoja më tepër? Kisha dy prindër të mrekullueshëm , një motër që më donte e më kuptonte, kisha një njeri pranë meje që më bënte të lumtur dhe isha në gjendje të shkëlqyer ekonomike.
Në ditët që pasuan, vazhduam të rrinim bashkë.Ia kalonim shumë mirë me njëri-tjetrin, kuptoheshim. Më buronte një gëzim brenda vetes, një ndjenjë e ëmbël dhe e ngrohtë si pranvera.
E dashuroja, isha marrosur pas tij. Nuk ngopesha duke e shikuar dhe dëgjuar, nuk ngopesha duke e puthur dhe përqafuar, nuk ngopesha duke i thënë “të dua”. Me pak fjalë, isha i pangopur dhe ai m’i jepte të gjitha pak e nga pak. Më jepte dashuri, kënaqësi, përkujdesje…Ndonjëherë më dukej se edhe ai ndjente të njëjtën gjë si unë, por i përsërisja vetes se kjo gjë ishte e pamundur, nuk mund të ndodhte tek ai.Fakti i të qënit homoseksual më bënte ndonjëherë të ndihesha i vëzhguar nën presionin e publikut, që më bënte shumë të ashpër. Ndonëse ndryshoja nga të tjerët, unë nuk mund t’ja kapja dorën njeriut që doja në publik, nuk mund t’ia prezantoja atë familjes apo shoqërisë sime. Unë nuk mund ta shprehja dashurinë time hapur. Ndryshe do të humbisja të gjitha gjërat, madje edhe deshirën për të jetuar.
Pranvera e vitit 2004 nisi me probleme. Unë gjithmonë jam munduar të krijoj situata të bukura mes nesh, që të mos e lija zjarrin të shuhej, por e ndjeja se nga ana e tij nuk ndodhte e njëjta gjë.
Ai nisi të më fliste e të sillej ftohtë me mua. Kjo situatë më bëri të dyshoja se i dashuri im më tradhëtonte dhe vendosa ta zbuloja deri në fund çfarë po ndodhte me të. Kur takoheshim ai hidhte parfumet e tij më të mira, vishej me kujdes, si me qëllimin e caktuar për t’i bërë përshtypje dikujt.
Një ditë, ndërsa e pashë që dilte nga shtëpia e tij, vendosa ta ndiqja dhe pashë se ai po ecte sipas një itinerari të çuditshëm. Shkoi në një lokal të humbur të qytetit, qëndroi aty me orë të tëra dhe pastaj u nis për në shtëpi. Nuk dija çfarë të mendoja, megjithatë kasha vendosur t’i shkoja kësaj historie në fund.
Një ditë, ndërsa po bisedoja, e pyeta: “ Po më tradhëton?” U kthye nga unë me qetësinë më të madhe dhe më tha se habitej se si më shkonin ndërmend gjëra të tilla. I thashë se prej kohësh nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte mes nesh dhe se duhet të ma vërtetonte se nuk më tradhëtonte me dikë tjetër.“ Atëherë duhet të ma vërtetosh ti që të tradhëtoj,”- më tha dhe u largua i zemëruar.
Sërish e ndoqa.Këtë herë e kapa në një motel.U fut vetëm. Gjatë orëve që e prita jashtë, në atë vend u futen vetëm çifte. Asnjë femër e vetme.Ai doli sërish i vetëm, hipi në makinën e tij dhe u largua.Isha i dëshpëruar dhe nuk po arrija të kuptoja asgjë.Fola me rojën e motelit, I cili më tha se ai vinte shpesh këtu, por nuk mund të më thoshte asgjë tjetër.I dashuri im e paguante shumë mirë vetëm për këtë, që të mos hapte gojë për personin me të cilin takohej.
Kisha lënë pasdore veten time, shoqërinë, shkollën.I lija orët e mësimit vetëm për ta ndjekur. Ndjeja një inat brenda meje. Kisha nevojë të dija se me kë më tradhëtonte ai. Tashmë ky ishte bërë qëllimi i ditës sime. Isha kthyer në një dedektiv i të dashurit tim. Isha bërë si hija e tij.E ndiqja ngado, por në motel asnjëherë nuk e pashë të shoqëruar.Gjithnjë vetëm shkonte dhe vetëm dilte.
Kur e takova një ditë u mundova ta zbusja situatën.Iu përgjërova të më thoshte të vërtetën se po torturohesha. Ai më mori dorën dhe më tha se nuk duhet të shqetësohesha për këto gjëra. Kur i fola për ndjekjet e mia, për faktin që e kisha parë në motel, ai u bë keq.Më tha se nuk kisha vepruar mirë, se isha treguar i ulët me sjelljen time, se kisha rënë shumë poshtë duke e ndjekur, duke kapur shokët e tij të ngushtë dhe se kjo sjellje do të më lëndonte shumë.Ai akoma nuk e kuptonte se isha në gjendje të dëshpëruar, se e ndjeja që kjo dashuri po shpërbëhej në copa e thërrime, se e ndjeja që bota ime shpirtërore po përmbysej trishtueshëm dhe unë nuk mund të bëja asgjë. Në atë kohë mendoja se më e keqja më kishte ndodhur. Ajo që zbulova më pas më bëri të mendoj se do të kisha qënë shumë me fat sikur i dashuri im të më kishte tradhëtuar me një vajzë, sesa me një djalë (gay). Në atë kohë më vinte keq për veten time. Isha kthyer në një njeri i mjerë, i vetmuar, që kishte lënë pasdore gjithçka për të zbuluar të fshehtën e të dashurit të tij.E ndiqja nëpër hotele, lokale, restorante dhe kudo ku ai shkonte, por asgjë. Çdo veprim i imi ishte një përpjekje e dëshpëruar për të rikthyer të dashurin tim, por më vonë e kuptova që ishte e pamundur.
Në njërën nga këto ditë, ndërsa vazhdoja ecje-jaket e mia, lart e poshtë në kërkim të një fakti apo të vërtete, pashë të dashurin tim. Ai u përpoq të më shmangte, por unë nxitova për ta takuar. I mora dorën dhe ia shtërngova fort. Nisa të qaja.“Më ndihmo – i thashë – më ndihmo të kuptoj, të kaloj këtë situatë, të qetësohem, se unë të dua.Çfarë po ndodh me ty?”Ai më pa i shqetësuar dhe për herë të parë e kuptoi gjendjen në të cilën isha.Më përqafoi dhe më tha se unë nuk kisha faj se disa gjëra ndodhin në jetë dhe nuk mund t’I kundërshtosh dot. “Çfarëdo që të ndodhë, unë të dua të mirën ,”- më tha.”Atëherë, nëse më do, përse ma bën këtë?” – e pyeta. Ai më shtërngoi sërish fort dhe pastaj më ftoi për një kafe, pasi duhet të më thoshte diçka me shumë rëndësi. Kisha frikë nga ajo që ai do të thoshte, sepse kisha një parandjenjë që ai ishte prologu i shkatërrimit tonë.
Aty nisi të më tregonte se ishte i dashuruar me dikë tjetër dhe kjo e bënte të vuante shumë. “Unë e di që nuk kam të ardhme me atë njeri – më tha – por edhe lidhjen me ty nuk do ta prish. Mjafton që ti ta kuptosh dhe ta pranosh situatën.”Ishte aq e thjeshtë e thënë nga goja e tij, por unë në ato momente mund të shembesha i tëri. Kërkova të ma prezantonte atë djalë, por ai nuk pranoi dhe unë nuk e njoha kurrë atë djalë, që ishte bërë një urë pengese për mua.Nuk dija si të veproja, çfarë të mendoja.I dashuri im donte një djalë tjetër dhe kjo ishte diçka që duhet ta pranoja. E rëndësishme ishte se çfarë do të ndodhte me ne të dy më pas. Ndoshta çdo gjë mund të pranoja, por jo të jetoja në hipokrizi.
Ditët në vazhdim ishin të tmerrshme, vetëm në heshtje. Më në fund nisa të përballesha me faktin se çdo ditë po e humbisja gjithmonë e më shumë të dashurin tim. U mbylla në vetvete, isha bërë me fiksime, isha çmendur, aq sa për një çast mendova se do të përfundoja sërish në atë spital të mallkuar. Unë atij i fala paratë, që ai të punonte pa strese, i fala gjithë dashurinë dhe trupin tim, i mjekova plagët e këmbës së plagosur me puthjet e mia dhe ai u tregua mosmirënjohës, hipokrit…më zhgënjeu, më tradhëtoi njeriu që doja më shumë në këtë botë dhe që i kisha besuar shpirtin tim. Nuk ka gjë më të trishtuar sesa të të marrin njeriun e ëndrrave të tua. Jo, jo kjo nuk është e drejtë. Nuk e pranoja dot se ai i përkiste dikujt tjetër dhe jo mua. Ai ishte i imi, i askujt tjetër, por veç i imi.E doja të gjithin për vete.
Vendosa t’i vija kapak kësaj torture.E vetmja mënyrë që ai të mos i përkiste askujt, ishte ta vrisja.I përsërisja vetes se kjo që mendoja ishte një çmenduri dhe doja ta kaloja këtë mendim, por nuk mundesha. Dashuria ime për atë po i kalonte kufijtë, po merrte përmasa universale dhe tashmë e kisha menduar në mënyrë të përsosur se si do ta realizoja “hakmarrjen” time. Planifikova një vrasje “të bukur” e të thjeshtë. Ta helmoja. E pse jo? A ka gjë më të natyrshme se vdekja?Jo, nuk ka. Vuajta shumë për ta gjetur atë ilaç helmues që do t’i jepte fund anktheve të mia.
Kisha menduar që gjithçka të bëhej në shtëpinë e xhaxhait tim në fshat. Xhaxhai im kishte disa muaj që emigronte në Itali bashkë me familjen.
E mora në telefon dhe i kërkova një takim.Të nesërmen pasdite u takuam. “Meqë jetët tona do të ndahen, dua të të jap “dhuratën” time, por duhet të vish me mua diku tjetër,” – i thashë. E kuptova që atij nuk i pëlqeu ideja e surprizës. Nuk pranoi , por insistimi im ishte kaq xhentil, sa ai u bind. E mora për dore dhe hipëm në taksi. Arritëm në fshat.Unë kisha zbukuruar krevatin dhe çdo gjë tjetër në dhomë. “Kam një jetë që jam i dashuruar me ty – i thashë – ndaj nuk mund të ma mohosh këtë cast. Pastaj mund të jesh burri i lumtur me njeriun që do. Askush dhe asgjë nuk do të të pengojë, por më parë duhet të bëjmë dashuri bashkë për here të fundit.” Nisa t’i puthja duart.
Atë natë konsumuam marrëdhënien tonë të fundit, e cila ishte më pasionante se kurrë, si në romanet ekzaltuese që lexoja.E ndjeja veten si një kafshë që e kishin çliruar nga zinxhirët. E si mund ta dinte ai që ëmbëlsia e kënaqësisë do të kthehej në helm vdekjeprurës?! Nuk kishte se si ta dinte. Por unë e dija se tani do ta humbisja përgjithmonë dhe më dhimbte shpirti kur e mendoja këtë.
E kam të vështirë t’i shkruaj këto rreshta, por kam vendosur t’jua tregoj juve të gjithë këtë histori, pasi periudha më e hidhur do të ishte ajo e vrasjes.
I dhashë të pinte një birrë dhe më pas i bëra një kafe të ëmbël, ku aty i hodha helmin.Nuk folëm fare.I dhashë një buzëqeshje të ëmbël djallëzore dhe po e vështroja gjatë.Doja ta fotografoja fytyrën e tij të bukur në mendjen time që ta kujtoja gjithnjë. Ai mori filxhanin e vdekjes dhe e kuptova që ishte me dy mendje për ta pirë atë kafe të shkretë. Megjithatë e piu.
Kaluan pak minuta dhe u shqetësova.Mendova se plani im dështoi, meqë ilaçi s’po e bënte efektin.Dhe në një çast ai ndjeu dhimbjen në stomak e më pas në veshka.Ai kuptoi gjithçka dhe më tërhoqi pas vetes. O Zot i madh! O Zot! Atij dhimbjet iu shtuan. Doja të shkëputesha prej tij, por ai s’ma lëshonte krahun për kiamet. M’u duk sikur vdekja e tij do të më merrte dhe mua. E çuditshme, megjithëse kishte dhimbje, ai kishte ende forca të më vriste. M’u hodh sipër, u bë si bishë e tërbuar nga dhimbjet dhe më futi duart në grykë.Dhe unë, për t’u vetëmbrojtur, nisa ta qëlloja.E godisja me të njëjtën forcë me të cilën e dashuroja. E ndërsa ai po më mbyste më thoshte: “Përse e bëre? Përse?Të urrej!”Ndërsa unë, me zë të mekur, ia ktheva: “ sepse ti je veç i imi, sepse unë të dua. Vdis o i mallkuar! Pse nuk po vdes?” Ndjeva duart e tij që iu shteruan forcat. E pashë që u skuq në fytyrë dhe nisi të përpëlitej, të rënkonte e, ndërsa jepte shpirt, më kërkonte ta shpëtoja, të mos vdiste.Por s’mund të bëja asgjë tashmë e keqja kishte ndodhur.Dhe ai vdiq… vdiq në krahët e mi. Ishte një vrasje e stimuluar nga xhelozia e çmendur.
Isha i lodhur i dërrmuar, dridhesha i tëri dhe nisa të qaja.Por e mblodha veten se më duhet të bëja pjesën tjetër të planit.Duhet ta varrosja.Sigurisht që e kisha hapur gropën një ditë më parë, aty pranë pemës me fiq, që ta varrosja lehtësisht.E mora trupin e tij zvarrë, i dhashë puthjen e lamtumirës dhe e varrosa me duart e mia. Në ato momente një pjesë e imja u varros dhe u ndjeva si një njeri që i kishin shkulur zemrën. Sigurisht askush nuk e di varrin e tij, askush nuk di gjë për të, as familja e tij.
Çdo të diel, në perëndim të diellit, shkoj te varri i tij dhe qaj.Lotët i rreshtoj varg, i fshij me shaminë e dhimbjes dhe më pas e ngushëlloj veten duke këputur një lule.
Kam nevojë për një njeri që ta konsideroj si mikun tim dhe shpresoj të gjej një njeri me shpirt të pastër që të më dojë, të më vlerësojë dhe jo të më gjykojë.E kaluara e hidhur më ndjek kudo dhe s’më le të jetoj i qetë.Dhe, megjithëse kam shumë guxim, kam dhe shumë, shumë frikë nga ajo që më pret.
Mos më paragjykoni! Të gjithë njerëzit gabojnë dhe gjëja më e mirë është të dinë të falin, se për të na gjykuar e ka të drejtën vetëm Ai që na krijoi.
Tashmë ka kaluar një vit e gjysmë nga vdekja e tij dhe zëri i ndërgjegjës më thotë se të gjithë kanë të drejtë ta dinë të vërtetën për këtë mëkat të rëndë që bëra, por kësaj i thonë të vetësakrifikohesh, pasi do të isha privuar nga liria, që, siç thotë Migel Servantes: “Liria është shumë e shtrenjtë për njeriun. Të gjitha thesaret që fshihen në gjirin e Tokës dhe në thellësinë e detit nuk mund të krahasohen me të.” Do të kisha probleme nëse do të flisja. Ndoshta do të mund të hesht deri në fund të jetës time. Ndoshta…
Me respekt ju përshëndet

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY