Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një operacion hetimor lidhur me masakrën me 4 viktima në lagjen Dobraç të Shkodrës. Burime jozyrtare bëjnë me dije se, me kërkesë të prokurores Elida Kaçkini, janë kryer disa kontrolle banesash, përfshirë edhe atë të Safet Bajrit. Deri më tani, nuk raportohet për gjetje të sendeve të kundërligjshme.
Sipas burimeve nga organet e hetimit, kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila ka miratuar kërkesën e SPAK-ut. Po ashtu, janë lëshuar disa urdhër-arreste, detajet e të cilave mbeten ende të paqarta për shkak të natyrës së ndjeshme të hetimit.
Një krim ende i pazbardhur
Masakra e Shkodrës tronditi vendin më herët këtë vit, duke lënë të vdekur katër persona: Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha. Ngjarja mbetet ende pa autorë zyrtarë, ndërsa policia dhe SPAK vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të saj.
Fillimisht, çështja u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, e cila pas disa javësh shpalli moskompetencë dhe ia kaloi dosjen Prokurorisë së Posaçme, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e grupeve të strukturuara kriminale.
Burime konfidenciale njoftojnë se disa persona janë shpallur në kërkim policor, ndërsa organi i akuzës është duke shqyrtuar prova dhe dëshmi që mund të çojnë në zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen e rëndë. a.b





