Gjykata e Lartë ka nisur procedurat për zëvendësimin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, duke konsideruar se mandati i saj përfundon më 10 mars 2025. Anëtari i ri i kësaj gjykate do të ketë një mandat të plotë nëntëvjeçar, siç parashikohet nga Kushtetuta.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Lartë, mandati i Zaçajt ishte i pjesshëm, duke qenë se ajo u emërua më 16 janar 2023 për të plotësuar vendin vakant të krijuar pas largimit të ish-kryetares Vitore Tusha, të cilës i kishte përfunduar mandati që në vitin 2017. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë e konsideron të detyrueshme nisjen e procesit të përzgjedhjes së pasardhësit, duke iu referuar përcaktimeve kushtetuese që parashikojnë ripërtëritjen e një të tretës së Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet.
Nga ana tjetër, Holta Zaçaj ka kundërshtuar këtë interpretim dhe ka deklaruar publikisht më 10 dhjetor se nuk e njeh datën 10 mars 2025 si përfundim të mandatit të saj. Për të sqaruar situatën, ajo i është drejtuar Komisionit të Venecias me një kërkesë për opinion ligjor. Një nga çështjet kryesore që ajo ka ngritur është se kur përfundon mandati i një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, në rastet kur emërimi ndodh me vonesë për shkak të vakancave të mbetura prej kohësh.
Gjykata e Lartë ka theksuar se procedura e ripërtëritjes është një proces kushtetues që përfshin tre institucione: Presidentin e Republikës, Kuvendin dhe vetë Gjykatën e Lartë, të cilat janë përgjegjëse për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet. Përplasja ligjore pritet të marrë drejtim pas marrjes së opinionit nga Komisioni i Venecias.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/