U mbajt sot një ceremoni te rruga George W. Bush para parlamentit në 80-vjetorin e vrasjes së 39 intelektualëve të Tiranës nga forcat komuniste që sapo kishin hyrë në kryeqytet
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një video mesazhi ka përkujtuar me rastin e 17 nëntorit, intelektualët e vrarë gjatë regjimit të Enver Hoxhës, i cili sipas tij zgjodhi të ekzekutonte të gjithë kundërshtarët e tij.
Ish-kryeministri Berisha u shpreh se edhe sot në Shqipëri është vendosur një diktaturë e re me bekimin e SHBA dhe ndikimin e Sorosit dhe për këtë arsye iu bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për ta larguar atë, njësoj siç bënë amerikanët me zgjedhjen e Trump.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS/ Mendoj se nderimi më i madh që ne u bëjmë sot, martirëve të fjalës së lirë, martirëve të interesit kombëtar, të besimit tek Zoti, është të bashkohemi dhe të bëjmë gjithçka për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe.
Kjo diktaturë për fatin më të keq të këtij kombi, u vendos me bekimin e vendit të madh të lirisë, SHBA-së.
Mafia shqiptaro-amerikane, Edi Rama-Xhorxh Soros, zgjodhi për të goditur opozitën shqiptare, në një akt që përbën grusht shteti në raport me sovranitetin e Shqipërisë.
Në fakt, fantazma e komunizmit, për fatin më të keq, u zgjua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo njësoj si në doktrinën e Marksit, ndërmori një agresion të pashembullt në historinë e njerëzimit, kundër identitetit biologjik dhe psikologjik të individit, dinjitetit të tij, lirisë së fjalës.
Familjes, themel i shoqërisë njerëzore.
Por kombi i madh amerikan bëri mrekullinë, është kombi i mrekullive.
Me datën 5 nëntor, hodhi në koshin e plehrave të historisë të gjithë atë platformë me inspirim marksist-lelinist të qartë, dhe votoi lirinë, votoi Amerikën e traditës së vet më të mirë.
Amerikën e kushtetutës, të njerëzve të lirë.
Kjo sigurisht nuk është një arritje vetëm për qytetarët e SHBA-së.
Fitorja e presidentit Donald Trump është një arritje për njerëzit e lirë, një mrekulli për njerëzit e lirë në mbarë botën.
Kjo fitore duhet të frymëzojë çdo shqiptar, me guxim dhe përkushtim, të angazhohet në këtë betejë shpëtimtare, për Shqipërinë, për shqiptarët. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/