Policia e Shtetit, cilat rrugë janë sot të bllokuara për ndeshjen me...

Policia e Shtetit, cilat rrugë janë sot të bllokuara për ndeshjen me Çekinë

20
0
Shares

Policia e Shtetit ka hartuar plane të posaçme me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të 2 ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, në stadiumin “Air Albania”, Tiranë, konkretisht ndërmjet ekipeve Shqipëri dhe Çeki, sot me 16 nëntor dhe ndërmjet ekipeve Shqipëri dhe Ukrainë, më datë 19 nëntor.

Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Çeki, konsistojnë te:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Çekisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Më 16 nëntor 2024, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Themistokli Gërmenji”;
* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;
* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

“Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, njofton Policia e Shtetit. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY